Vetëm gjashtë ditë pasi mbushi 20 vjeç, Lara Colturi i dha Shqipërisë fitoren e parë në historinë e Kupës së Botës në ski alpine. Të shtunën, më 21 nëntor, ajo fitoi garën e sllallomit në Gurgl të Austrisë, duke e lënë suedezen Sara Hector pas për vetëm 27 të qindtat e sekondës.

E lindur në Torino të Italisë, Lara u rrit në një familje skijatorësh. Nëna e saj, Daniela Ceccarelli, fitoi medaljen e artë për Italinë në disiplinën Super-G në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2002. Babai i saj, Alessandro Colturi, është trajner skish. Lara stërvitet me të dy që kur ishte pesë vjeçe.

Lidhja me Shqipërinë nisi përmes së ëmës, e cila stërviste edhe skijatorë shqiptarë. Në vitin 2022, Lara dhe prindërit e saj pranuan ofertën që ajo të garonte nën flamurin kuqezi. Siç ka treguar vetë skijatorja, kjo zgjedhje i dha mundësinë të vazhdonte të stërvitej me prindërit dhe t’i kishte pranë edhe në gara.

Para garës në Austri, Lara ishte ngjitur në podiumin e Kupës së Botës plot nëntë herë. Kur u konfirmua se këtë herë vendi i parë ishte i saji, ajo uli kokën për një çast, pastaj ngriti grushtin drejt publikut. “Më duket e pabesueshme”, tha ajo pak çaste pas fitores, të cilën e festoi në pistë me familjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts