Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia Rajonale kanë njoftuar se gjatë së martës diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit në zbardhjen e rasteve të vrasjeve të pazgjidhura të pasluftës, të cilat kanë ndodhur në territorin e kësaj prokurorie.
Ushtruesja e detyrës së kryeprokurores, Valbona Disha-Haxhosaj, së bashku me prokurorët e Departamentit për Krime të Rënda, ka mbajtur takim me drejtorin e ri të Policisë Rajonale në Pejë, Faton Alija, dhe zinxhirin komandues të këtij institucioni.
Sipas njoftimit, temë kryesore e takimit ishte trajtimi dhe zbardhja e vrasjeve të pazgjidhura të pasluftës.
Me këtë rast, Disha-Haxhosaj ka kërkuar intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbardhjen e këtyre rasteve.
“U.d. Kryeprokurorja Disha-Haxhosaj kërkoi nga prokurorët e kësaj prokurorie dhe zinxhiri komandues i Policisë Rajonale që të intensifikojnë bashkëpunimin dhe koordinimin institucional, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e këtyre rasteve, identifikimin e kryerësve të veprave penale dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e angazhimit të përbashkët të prokurorëve dhe hetuesve policorë, si dhe trajtimin e çdo prove dhe informacioni që mund të ndihmojë në zbardhjen e vrasjeve.
“Çdo informacion dhe provë relevante të trajtohet me seriozitetin dhe profesionalizmin e duhur. Prokuroria Themelore në Pejë inkurajon të gjithë qytetarët, familjarët e viktimave dhe personat e tjerë që posedojnë informacione të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të këtyre rasteve, që të bashkëpunojnë me Prokurorin e Shtetit dhe Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.


















