Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar zyrtarët e Shërbimit Policor të Kosovës, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, në 23 vjetorin e vrasjes së tyre.

Përmes një postimi, Abdixhiku tha se sot kujtohen me nderim të thellë dy luftëtarë të lirisë, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zyrtarë të Shërbimit Policor të Kosovës, të cilët u vranë pabesisht në një pritë në Raushiq të Pejës, më 24 nëntor 2003, transmeton IndeksOnline.

“Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj ishin në krye të detyrës, duke hetuar vrasjet e pasluftës në rajonin e Dukagjinit, përfshirë edhe vrasjen e kolonel Tahir Zemajt dhe Smajl Hajdarajt. Ata po ndiqnin gjurmët e së vërtetës, në një kohë kur Kosova kishte nevojë më shumë se kurrë për drejtësi dhe sundim të ligjit”.

“Vetëm pak ditë para vrasjes së saj, Sebahate Tolaj kishte shprehur bindjen se hetimet për vrasjen e kolonel Tahir Zemajt po i afroheshin zbardhjes. Tri ditë më pas, ajo dhe kolegu i saj, Isuf Haklaj, u vranë në një pritë. Deklarata e saj mbetet edhe sot një kujtesë e rëndë e një të vërtete që kërkonte guxim për t’u ndjekur dhe që, fatkeqësisht, u ndërpre tinëzisht”, thuhet në njoftim.

Tutje, Abdixhiku tha se vrasja e tyre nuk ishte vetëm humbje e dy zyrtarëve policorë, por një goditje ndaj përpjekjeve për vendosjen e drejtësisë, ndërtimin e institucioneve dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Kosovë.

“Pas 23 vjetësh, zbardhja e plotë e kësaj vrasjeje dhe vënia e përgjegjësve para drejtësisë mbetet obligim institucional dhe shoqëror. Familjet e tyre, shoqëria dhe Republika e Kosovës meritojnë të vërtetën dhe drejtësinë. Lavdi jetës dhe veprës së Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts