Tash e dy ditë është raportuar se kryetari i BIK-ut në Obiliq, Behar Mjekiqi ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij. Një hetim nga IPK-ja ka nisur në drejtim të zbardhjes së rrethanave se a ka pasur gisht ndonjë zyrtar policor në tendencën për ta fshehur këtë rast. Pavarësisht kësaj, BIK-u në qendër, bashkësia që drejtohet tash e shumë vite nga Naim Tërnava nuk ka pranuar që të komentoi rastin edhe pas shumë insistimeve nga Gazeta Insajderi.
Imami i Obiliqit, Behar Mjekiqi është denoncuar për dhunë ndaj të dashurës së tij, të martën e 20 dhjetorit. Mjekiqi e kishte larguar nga shtëpia të dashurën me të cilën kishte qenë duke bashkëjetuar. Më pas ajo e kishte denoncuar imamin në polici për dhunë në familje.
Për rastin e Mjekiqit, Bashkësinë Islame të Kosovës, që udhëhiqet nga imami Naim Tërrnava nuk ka reaguar asnjëherë deri tani.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në BIK për të kuptuar se cili është qëndrimi i tyre për bashkëjetesën e imami Mjekiqit me të dashurën, duke e ditur se feja islame nuk e lejon një gjë të tillë.
Të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikim e lajmit.
Gazeta ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga vet imami Mjekiqi por i njëjti ka qenë i paqasshëm.
Për Gazeta Insajderi lidhur me rastin e Behar Mjekiqit ka folur vetëm, kryeimamin e Obiliqit, Izedin Krasniqi.
Krasniqi konfirmoi se është takuar me hoxhën Mjekiqi, por që nuk di detaje të rastit.
“Nuk kemi kurrfarë njohurish për këtë që po më pyet, aq sa dini ju di edhe unë personalisht. Po jemi takuar (me Behar Mjekiqin) kemi pasur mbledhje dhe njësoj siç dini ju dimë edhe ne, asgjë më shumë”, tha Krasniqi për Insajderin.
Duke pasur parasysh që imami, Behar Mjekiqi është i martuar dhe ndërkohë është kuptuar se ka bashkëjetuar edhe me një grua tjetër, kryeimami i Obiliqit është pyetur se si e parasheh feja myslimane këtë veprim të Mjekiqit.
Krasniqi nuk ka hezituar ta cilësojë si tendencioze, pjesën e referimit si “e dashura” e hoxhës.
“Nuk kam koment më shumë për këtë çështje, kjo mendoj që është tendencioze nuk kam diçka më shumë me thënë. Por kjo pjesa e dashura, e ç’dashura, ku ta di unë më shumë nuk mundem asgjë me thënë. T’i lëmë organet e hetuesisë ta bëjnë punën e tyre, edhe le të del e vërteta në shesh të jemi të gjithë okej”, tha kryeimami.
Organet e drejtësisë tanimë veçse kanë filluar të merren me rastin e imamit, për të cilin janë ngritur dyshimet se me ndihmën e komandantit të policisë atje e ka mbyllur rastin.
Lajmin për Gazetën Insajderi e kanë konfirmuar Inspektorati Policor i Kosovës.
Në një përgjigje thuhet se tashmë kanë nisur të grumbullojë informacione në lidhje me dyshimet e raportuara në media.
IPK thotë se tashmë ka pasur kontakte me zyrtarë të Stacionit Policor të Obiliqit dhe zyrtarë të tjerë, përshirë edhe kontaktin me Prokurorin e rastit.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se IPK sipas detyrës zyrtare (ex officio) ka filluar të grumbullojë informacione pas publikimit të lajmit në medie lidhur me këtë rast. Krahas grumbullimit të informacioneve nga hetuesit e IPK-së janë ndërmarrë edhe veprime hetimore konkrete që kanë përfshirë kontakte me zyrtarë të Stacionit Policor të Obiliqit dhe zyrtarë të tjerë përshirë edhe kontaktin me Prokurorin e rastit. Veprimet tjera do të ndërmirren bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IKP-së dhënë Insajderit.