Ballkani po përjeton një sukses të madh në arenën evropiane. Kampionët e Kosovës janë kualifikuar në fazën “play off” të Ligës së Konferencës. Tashmë “xhebraliave” u mbeten vetëm dy ndeshjet me Bate Borisovin për të prerë për herë të dytë në histori biletën për në grupet e Ligës së formuar para tri vitesh.
Por përpos arritjes sportive, një tjetër aspekt pozitiv për klubin ku ka pronar, biznesmenin Arsim Kabashi janë edhe paratë e grumbulluara deri më tani. Klubi nga Suhareka ka mbushur arkat me 1.41 milionë euro, të cilat do të shtohen edhe më tepër deri në fund të rrugëtimit të tyre.
Në rastin më të keq Ballakani do të arkëtojë 1.67 milionë euro nga UEFA. Një skenar që vlen në rast se Ballkani do të eliminohen nga Bate Borisov në “play off”.
Kujtojmë që UEFA jep një shpërblim prej 260 mijë eurosh për klubet kampione që nuk mund të sigurojnë dot një vend në fazën e grupeve. Ndërkohë, nëse Ballkani kalon edhe Baten, atëherë padyshim që të ardhurat do të rriten edhe më tepër dhe pritet të shkojnë deri në rreth 3 milionë euro.