Drejtori i Agjencisë për Siguri Bërthamore, Beqir Mezelxhiu, ka thënë se Kosova është vetëm 300 kilometra larg centralit më të afërt bërthamor që gjendet në Bullgari.
I ftuar në Desku të KTV-së, Mezelxhiu ka thënë se në rast se ndodhë ndonjë incident i shpërthimit bërthamor në këtë central, Kosova hynë në kategorinë e tretë të emergjencave.
“Ne sa i përket centraleve bërthamore, distancën më të vogël e kemi me Bullgarinë, që është vetëm 300 km larg centralit të parë bërthamor. Nëse ndodh incidenti atje jemi në kategorinë e tretë të emergjencave, pak më larg e kemi Slloveninë që është rreth 400 km. Është shumë me rëndësi që në këto raste të ketë një koordinim mes shteteve fqinje pasi që potencialisht mund të jetë një incident multinacional edhe në raste të tilla, një prej atyre hapave preventivë që merret në konsideratë është jodi, sidomos te fëmijët. Sepse në këto raste përdoret një qasje e shkallëzuar”, ka thënë ai.
Sipas Mezelxhiut, në rast se ndodhë një incident i tillë, popullata duhet të lajmërohet në mënyrë që të merren masa, si mbyllja në shtëpia, sigurimi i ujit të pijshëm dhe edhe transferimi i popullatës në rast se është i nevojshëm.
Gjëja e parë që preket në këto raste është mjedisi edhe në qoftë se ka shi në atë valë, depozitimi është më i madh. Në ato raste merren masa që popullata paraprakisht, para se të vijë ndikimi në vend, ligjërisht është e obliguar të njoftohet popullata për rrezikun që po afrohet, ku hyn aspekti i mbylljes nëpër shtëpia, aspekti i ujit të pijshëm, ku njerëzit duhet të sigurojnë atë dhe mund të vijë edhe deri te transferimi i popullatës në një vend më të sigurt.