Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk do ta mbështesin me votë kandidatin për president, Bekim Sejdiun.
Sipas Abdixhikut, deputetët që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Sejdiun janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri.
Abdixhiku tha se Kryesia e LDK-së e ka mbështetur unanimisht kandidaturën e Sejdiut, ndërsa pas mbledhjes me Grupin Parlamentar, gjashtë deputetë kanë deklaruar se nuk do ta respektojnë këtë vendim.
Ai shprehu keqardhje për zhvillimin e situatës, duke thënë se është përpjekur të propozojë një kandidat të denjë për postin e presidentit.
“Të gjithë ata që janë përpjekur për të minuar këtë balancë demokratike, po i shërbejnë shtrirjes së pushtetit absolut nga një parti e vetme në Kosovë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se kjo është një mundësi që po humbet për shkak të kundërshtimeve brenda grupit parlamentar.
“Ndjej keqardhje dhe kërkim falje për popullin e Kosovës. Kaq munda, nuk mundem më tepër, jo me këtë grup parlamentar, jo me këtë përçarje, jo me këtë ndarje”, tha kreu i LDK-së.
Abdixhiku shtoi se kishte tentuar të ofronte një kandidat të dinjitetshëm për postin e presidentit, duke thënë se kjo mundësi po humbet për “teke krejtësisht individuale”.
“Kjo është politikë jo e kohës”, deklaroi ai.
I pyetur nëse do të ketë vazhdim të diskutimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për një emër të ri për president, Abdixhiku u përgjigj: “Nuk do të ketë diskutime tjera.”




















