Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka reaguar pas situatës emergjente të krijuar në vend me përmbytjet pas reshjeve të dendura të shiut.
Me anë të një postimi në Facebook, Veliu ka thënë se ka kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ngritjen e nivelit të Gatishmërisë në nivel Kombëtar.
“Ministria e Punëve të Brendshme, përmes AME-së, me vëmendje të shtuar po e përcjellë gjendjen aktuale të vërshimeve të pjesshme si pasojë e reshjeve të shiut”, ka shkruar ai.
Veliu ka thënë se vërshime ka pasur në komunën e Gjakovës, Malishevës, Rahovecit, Drenasit dhe Suharekës.
Postimi i plotë:
Bazuar në vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes në terren, sot kam kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ngritjen e nivelit të Gatishmërisë në Nivel Kombëtar.
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes AME-së, me vëmendje të shtuar po e përcjellë gjendjen aktuale të vërshimeve të pjesshme si pasojë e reshjeve të shiut.
Deri më tani në Komunën e Gjakovës, Malishevës, Rahovecit, Drenasit dhe Suharekës ka pasur vërshime të pjesshme, derisa ekipet e AME-së janë në terren duke vepruar sipas nevojës dhe rrethanave.
Në komunat tjera situata momentalisht është e qetë dhe nën kontroll.
AME do të koordinojë të gjitha veprimet operacionale me shtabet komunale, për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme, por edhe për t’i ndihmuar këto shtabe si me personel ashtu edhe me mjete.
MPB do të informoi qytetarët në rast të përkeqësimit të gjendjes aktuale.