Në Runkel të Hessen-it në Gjermani, tre punonjës kanë humbur jetën dhe dy të tjerë ndodhen në gjendje kritike pas një aksidenti në një fabrikë lëkure.
Sipas policisë gjermane, ngjarja ka ndodhur gjatë punës brenda objektit industrial, ndërsa mediat gjermane raportojnë se dyshohet që një punëtor ka rënë në një gropë ku grumbullohen mbetjet nga procesi i përpunimit të lëkurës.
Në përpjekje për ta ndihmuar, kolegët e tij kanë zbritur në të njëjtën hapësirë, por edhe ata janë ekspozuar ndaj një substance të panjohur.
Si pasojë e këtij incidenti, tre punëtorë nuk kanë mundur të mbijetojnë, ndërsa dy të tjerë janë transportuar me urgjencë në spitale dhe po trajtohen në gjendje kritike.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkakun e saktë të ngjarjes.



















