Një aksion i gjerë i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është zhvilluar në orët e para të mëngjesit në më shumë se 40 lokacione në të gjithë vendin, pas një hetimi disamujor mbi dyshimet për një skemë të organizuar kriminale.

Burimet e IndeksOnlinet thonë se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona, ndërsa janë sekuestruar para të gatshme (cash), dokumentacione të ndryshme që dyshohet se lidhen me aktivitetin nën hetim, kompjuterë, si dhe cisterna të përdorura në sektorin e derivateve të naftës.

Sipas burimeve të IndeksOnlinet, në operacion janë përfshirë Prokuroria Speciale, Njësia e hetimeve tatimore e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Policia e Kosovës dhe Njësia e hetimeve e Doganës së Kosovës.

Burime e Indeksonline bëjnë të ditur se me anë të kësaj skeme është ndërtuar një system i shpëlarjes së parave në Kosovë. Ky grup kishte përdorur një skemë të njohur të kontrabandimit dhe shmangies së tatimeve të naftës teknike, e cila ishte përdorur edhe në kontrabandën e naftës në zonën veriore të Kosovës.

Sipas burimeve, nafta ishte importuar nga kompani nga Kosova dhe kishte kaluar transit në Republikën e Shqipërisë.

Shqipëria, sipas burimeve, ka taksa shumë më të larta për naftën, diku mes 20 deri në 40 centë më të shtrenjta se sa në Kosovë.

Grupi, sipas burimeve, kishte zbarkuar naftën në Shqipëri, ku ajo ishte shitur në tregun e zi, ndërsa maunat ishin mbushur me ujë dhe ishin futur në Kosovë.

Maunat, sipas këtyre burimeve, kishin paguar doganën dhe akcizën, e cila është më e ulët në Kosovë, duke krijuar fitime prej 10 apo më shumë centësh për secilin litër të naftës që ishte zbarkuar në Shqipëri dhe në formë fiktive ishte importuar në Kosovë.

Burimet e Indeksonlinet bëjnë të ditur se aksioni po zhvillohet në disa komuna të Kosovës dhe se ka dhjetëra të arrestuar deri tani./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts