Ambasada e Kosovës në Turqi njoftoi se në mesin e viktimave dhe të lënduarve nga shpërthimi në Stamboll, nuk është asnjë shtetas i Kosovës.
Ambasada iu bëri thirrje shtetasve kosovarë të dielën që të jenë vigjilentë dhe t’i ndjekin këshillat e autoriteteve lokale të sigurisë.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara njofton se në bazë të informatave të siguruara nga autoritetet relevante të Republikës së Turqisë, në mesin e viktimave dhe të lënduarve nuk gjendet asnjë shtetas i Republikës së Kosovës. Për ata të cilët aktualisht ndodhen në Stamboll, kërkojmë që të qëndroni vigjilentë dhe të ndiqni këshillat e autoriteteve lokale të sigurisë. Luten shtetasit tanë të cilët gjenden në Stamboll që në rast nevoje të kontaktojnë në numrin emergjent të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll +90 (531) 105 63 91”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Të paktën gjashtë persona humbën jetën të dielën në një sulm vdekjeprurës në Stamboll.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar se përveç numrit të shtuar të viktimave nga raportimi i fundit, edhe numri i të lënduarve ka shkuar në 53.
Ende nuk dihet shkaku i shpërthimit që ndodhi në rrugën “Istiklal” të lagjes Beyoglu, ndërsa dyshohet për sulm terrorist, raporton CNN-i turk.