Modelja shqiptare me famë ndërkombëtare, Angela Martini, ka bërë të ditur së fundmi se një kompani shqiptare ka përdorur imazhin e saj për reklamimin e një pije alkoolike pa marrëveshje dhe pa kompensim financiar. Për këtë arsye, Martini ka nisur një rrugë ligjore ndaj kompanisë.
Sipas Angelës, pas ngritjes së çështjes, kompania ka bllokuar disa shkrime promovuese që lidhen me të në mediat e saj dhe në ato ku ka pasur akses. Martini ka dhënë disa detaje mbi situatën, duke përmendur edhe elemente personale të historisë së saj. Ajo ka përmendur një lidhje të mëparshme me Fatmir Hysenbelliu, e cila sipas saj kishte zgjatur dy javë.
Angela ka postuar edhe disa mesazhe në rrjetet sociale, duke pretenduar se Hysenbelliu ka tentuar ta kontaktonte pas periudhës së lidhjes, edhe kur ajo ishte e martuar. Mesazhet e ndjekësve anonimë në rrjet janë publikuar nga Martini, ku disa prej tyre e akuzonin Hysenbelliun për sjellje të ngjashme ndaj të tjera vajzave. Megjithatë, këto pretendime nuk u shoqëruan me identitet të plotë, ndërsa kur një vajzë nga Kosova u përmend me emër, ajo i mohoi kategorikisht akuzat.



















