Dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, janë arrestuar sot nga policia e Kosovës.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ata janë arrestuar pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Dogana e Kosovës ka sqaruar se njëri nga të arrestuarit, i identifikuar me inicialet B.Sh., kishte qenë i punësuar në këtë institucion por ishte pushuar nga puna 20 vjet më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.
Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se është arrestimi i parë për spiunim, derisa thotë se mund të ketë dhe të tjerë, që ndoshta AKI i ka nën hetime.
“Unë me informacionet që i kam deri tash, besoj ky është arrestimi i parë për spiunim për çështjen e sigurisë dhe unë i siguroj institucionet e sigurisë, AKI-në dhe policinë e Kosovës, që kanë bërë një punë të madhe për këtë çështje. Unë po besoj që mund të ketë edhe tjerë që nuk i dimë dhe po shpresoj që AKI i ka nën hetime njerëzit që e rrezikojnë sigurinë kombëtare, në këtë rast janë bashkëpunëtorë apo punëtorë të UDB-ës apo sigurimit shtetëror serb, e të cilët e rrezikojnë sigurinë kombëtare përmes dërgimit të informacioneve apo dezinformatave duke lëshuar në publik për të humbur besueshmërinë e institucioneve të Kosovës, por edhe për çështje tjera, të cilat AKI i di”, vlerëson ai.
Bajqinovci thekson se në kohën e UNMIK-ut njerëzit janë punësuar pa u verifikuar e kaluara e tyre.
Ai e sheh këtë shqetësuese për sigurinë kombëtare, teksa shton se institucionet e sigurisë duhet të hetojnë edhe zyrtarë të tjerë, që potencialisht mund të jenë spiunë.
“Mendoj që pas luftës UNMIK, në kohën e tij janë punësuar njerëz të cilët ndoshta edhe nuk kanë pasur verifikim të mjaftueshëm dhe ju e dini që edhe në institucione të sigurisë, në Polici dhe Doganë ka pasur njerëz që kanë punuar deri në vitin 99 dhe unë nuk e di që ka pasur ndonjë kontroll për verifikim e së kaluarës së tyre, po besoj se kjo është shqetësuese dhe po besoj që institucionet e sigurisë duhet të dalin, të hetohen apo edhe janë duke u hetuar edhe zyrtarë të tjerë të cilët potencialisht mund të jenë spiunë dhe mund ta rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës”, deklaron deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci.