Me dy golat e shënuar të dielën, Vedat Muriqi është bërë realizatori më i mirë në histori i Mallorcas në La Liga. Sulmuesi kosovar tani i ka 55 gola në elitën spanjolle, një më shumë se legjenda Samuel Eto’o.
Por 31-vjeçari Muriqi ka edhe disa rekorde për të vendosur dhe është në rrugë të mirë.
Ai këtë edicion në kampionatin spanjoll i ka 21 gola dhe tashmë është në garë me Kylian Mbappen e Real Madridit për “Trofeun Pichichi” që i ndahet golashënuesit më të mirë të edicionit në La Liga. Mbappe i ka 23 gola.
Një rekord që mendohej se nuk do të rrezikohej gjatë, tani mund të sfidohet nga Muriqi. Bëhet fjalë për 27 golat që Dani Guiza i kishte shënuar në edicionin 2007/08 të La Ligas për Mallorcan. Guiza ishte bindshëm golashënuesi më i mirë në La Liga atë edicion. Luis Fabiano i kishte 24 gola, ndërsa Sergio Aguero 19.
Muriqi i ka edhe shtatë ndeshje për tjetrin rekord historik të Mallorcas. Vetëm Guiza ka shënuar më shumë gola se Muriqi në një edicion të La Ligas për Mallorcan. 19 i kishte Magdaleno në edicionin 1986/87 dhe 18 Diego Tristan në edicionin 1999/2000.
Forma aktuale e prizrenasit jep shpresë se ai mund ta thyejë rekordin e Guizas për gola brenda një edicioni. Shtatlarti e shënoi një gol ndaj Real Madridit, e së fundi dy ndaj Rayo Vallecanos. Dy gola i kishte shënuar edhe ndaj Osasunas më 7 mars.
Por kontributi i Muriqit për skuadrën shkon shumë përtej golave që i shënon. Ai nuk ndalet duke punuar për ekipin. Mbrojtja e Mallorcas fillon prej tij. Ylli “dardan” bën shumë presion në mbrojtjen dhe mesfushën e kundërshtarit. Dhe më pas hidhet në sulm dhe pret topin nga bashkëlojtarët. Ndonëse punon shumë në fushë, vazhdon të shënojë shumë gola.
Muriqi ka lënë të kuptohet se planifikon që ta përfundojë karrierën te Mallorca.
Dhe rekordi për numrin total të golave të skuadrës po ashtu është në rrezik nga “Pirati”. Është sërish kamerunasi Eto’o që e ka numrin më të madh të golave për Mallorcan – 70. I dyti është Abdon Prats me 59 dhe i treti Muriqi me 56.
“Me dygolëshin ndaj Rayo Vallecanos, Muriqi e ka bërë skuadrën nga Madridi një prej viktimave favorite të këtij edicioni. Espanyoli dhe Osasuna ishin po ashtu rivalet e pëlqyera të tij. Muriqi ka shënuar nga dy herë ndaj të dy skuadrave. Madje i shënoi nga dy gola në dy ndeshjet ndaj Osasunas. Ka realizuar edhe ‘hat-trick’ ndaj Athletic Bilbaos, të parin për Mallorcan në La Liga”, ka shkruar gazeta spanjolle AS, që ka bërë një analizë për rekordet dhe shifrat e Muriqit.
Rekordit të radhës, Muriqi shpreson t’i afrohet fundjavën e ardhshme në ndeshjen ndaj Valencias.
“Është një sfidë që Pirati e ka në dorë dhe që e ka mundësinë ta kalojë. Duke thyer rekorde të shumta këtë edicion, Vedat Muriqi është aset i tejçmuar për Real Mallorcan”, shkruan “AS”.



















