Avokati Tomë Gashi, ka komentuar aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për votimin e Qeverisë Hoti, ku në të thuhet se asnjë person nuk mund të jetë kandidat për deputet për zgjedhjet për Kuvend nëse është dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit.
Gashi ka thënë se kreu i LVV-së, Albin Kurti ka të drejtë të kandidojë për deputet të Kuvendit të Kosovës.
“Kushdo që ka pas paqartësi lidhur me të drejtën për të qenë kandidat për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pika 297 e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës datë 6 janar 2021, e sqaron ne tërësi këtë situate duke konstatuar se: nuk lejohet që një person i dënuar me burgim gjatë tri viteve të fundit para zgjedhjeve të kandidoj për deputet dhe të fitoj mandatin e deputetit. Albin Kurtit në 2018 i’u shqiptua masa e dënimit me kusht”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Më tej, avokati ka shkruar se “Shumë shpejt Albin Kurtin do ta kemi Kryeministër të Republikës së Kosovës -Qeveria Kurti 2”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e publikoi sot të plotë aktgjykimin lidhur me votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.
Kushtetuesja kishte konstatuar se qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.