Luka Misetic, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka reaguar Gjykatës Speciale pak pasi ajo prezantoi “standardet e gjykimit të drejtë gjatë proceseve gjyqësore” në këtë gjykatë në Hagë.
Avokati shkroi në një postim në Facbook se Apeli i Gjykatës Speciale ka refuzuar çdo kërkesë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim atje me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Konteksti duhet të merret parasysh gjatë vlerësimit të efektivitetit të së drejtës për ankim lidhur me shkeljet e standardeve të gjykimit të drejtë. Të akuzuarit në rastin e krimeve të luftës Thaçi et al. kanë iniciuar 37 ankesa të ndërmjetme dhe secila prej tyre është refuzuar nga Paneli i Apelit”, shkroi Misetic.
Në deklaratën e zëdhënësit të Gjykatës Speciale, Michael Doyle, thuhet se kjo gjykatë garanton “të drejtat për një gjykim të drejtë për të akuzuarit, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht”.
“Gjyqtarët zbatojnë vazhdimisht konventat ndërkombëtare të përmendura në Kushtetutën e Kosovës, përfshirë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore të saj. Nëse një i pandehur mendon se rregullat nuk po zbatohen siç duhet, ai mund të apelojë vendimet te një panel i veçantë i gjyqtarëve të pavarur. Të pandehurit mund të paraqesin gjithashtu një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë para Gjykatës Supreme dhe mund t’i drejtohen Dhomës së Gjykatës Kushtetuese nëse mendojnë se të drejtat e tyre individuale të njeriut janë shkelur. Ky sistem pasqyron mbrojtjen e të drejtave të njeriut që ekziston edhe para gjykatave të tjera në Kosovë. Të pandehurit i kanë shfrytëzuar këto mjete juridike dhe, në një numër rastesh, e kanë bërë këtë me sukses”, thotë zëdhënësi
Context should be considered in accessing the effectiveness of the right to appeal violations of fair trial standards. The Defendants in the Thaçi et al. war crimes case have initiated 37 interlocutory appeals, and every single one of them has been rejected by the Appeals Panel. https://t.co/yq3ENYf9dT
— Luka Misetic (@MiseticLaw) June 17, 2026



















