Trajneri Ilir Daja doli i parë në fushë në stërvitjen e së mërkurës të Ballkanit, teksa pas tij Armend Thaqi dhe të tjerët. Të qetë dukeshin të gjithë, e në disponim të mirë. Të tillë dëshiron t’i shohë trajneri Daja edhe gjatë ndeshjes së kthimit të plejofit të Ligës së Konferencës, të cilën Ballkani e zhvillon të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në orën 20:00, ndaj Shkupit. Do të jetë takim vendimtar për të dy skuadrat, pasi do të vendoset se cila do të kualifikohet në fazën e grupeve të kësaj gare të UEFA-s. Liga e Konferencës është e treta për nga rëndësia, por kualifikimi në fazën e saj të grupeve do të jetë historik për një skuadër të Kosovës.
Për t’u arritur një sukses i tillë, Daja nuk ka dyshim se publiku i pranishëm në tribuna mund ta ketë një pjesë të meritave. Trajneri Daja e pranoi të mërkurën se do të jetë ndeshje shumë e vështirë për t’u luajtur, por e pranoi se në këto lloj ndeshjesh, e rëndësishme është që të ruhet qetësia.
“Mendojmë që nesër do të kemi ndeshje të vështirë. Do të jetë e vështirë për lojtarët, sepse stafi nuk ka shumë vështirësi, pasi përkujdeset për ta ulur dozën e emocioneve dhe menaxhimin e stresit, që lojtarët ta japin më të mirën e mundshme”, theksoi Daja në fjalimin hyrës të konferencës për shtyp.
Takimi i parë i fazës së plejofit të Ligës së Konferencës, i zhvilluar në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, u mbyll me fitoren e madhe të Ballkanit, 2:1. Golat për Ballkanin u shënuan nga Albion Rrahmani dhe Meriton Korenica. Tekniku nga Tirana nënvizoi se nuk ka favorit pavarësisht rezultatit të favorshëm të Ballkanit. Por, nuk e mohoi faktin se avantazhi i krijuar nga ndeshja e parë mund ta ketë rolin e vet.
Ai ka kërkuar nga lojtarët ta japin maksimumin, të djersiten shumë për ta shtyrë përpara ëndrrën e nisur që në debutim të garave evropiane.
“Ajo që unë mund të deklaroj është një gjë që lojtarët të cilët i drejtoj, duke ditur përkushtimin që kanë bërë që nga fillimi, besoj se do të jenë e do ta japin maksimumin të gjithë. Nëse do të ketë ndonjë problem, do të mundohemi e të bëjmë çmos për t’i mbuluar të dyja fazat”, theksoi Daja.
Daja nuk përmendi emër, por tha se një lojtar ësh të stërvitur i diferencuar gjatë javës. Megjithatë, e konfirmoi mungesën e portierit Damir Lulanoviq. Në vend të tij, titullar do të jetë Stivi Frashëri. Në ndeshjen e kaluar, mbrojtësi Astrit Thaqi pësoi një dëmtim në fund të ndeshjes.
“Gjithë kontingjenti është në dispozicion. Një lojtar duhet ta shohim se si e ka gjendjen. Ka qenë i diferencuar. Nuk dua ta publikoj dhe nuk dua të jap elemente shtesë, por mund të them se një nga mbrojtësit tanë është në dyshim. Do të startojmë me Frashërin sepse Lulanoviq ka qenë i dëmtuar nga loja e parë në Shkup. Do ta nisë Frashëri ndeshjen. Nuk ishte në dy-tre ndeshje për shkaqe shëndetësore”, u shpreh ai.
Në konferencën për shtyp ishte edhe Bajram Jashanica, qendërmbrojtësi i cili më parë ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Evropës me Skënderbeun.
Qendërmbrojtësi shtatlartë ka theksuar se skuadra është e përgatitur për një sfidë të tillë.
“Eksperienca në gara të tjera evropiane ndikon te bashkëlojtarët. E kemi përgatitur një ndeshje shumë mirë. Besoj që jemi përgatitur maksimalisht dhe shpresojmë që të arrijmë në grupe. E kam përjetuar një ndjenjë të tillë edhe me Skënderbeun. Normalisht edhe tash është diçka e madhe si për skuadrën e Ballkanit, ashtu edhe për futbollin e Kosovës. Është kënaqësi që do të kemi mbështetje të madhe”, u shpreh 31-vjeçari.
Në konferencën për shtyp, drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi, konfirmoi negociatat me Leotrim Bekteshin. Mirëpo, ai tha se gjithçka do të vendoset pas ndeshjes me Shkupin, të cilën shpreson që Ballkani ta fitojë dhe kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Në rast të kualifikimit në fazën e grupeve, atëherë Ballkani do të bëhet ekipi i parë nga Kosova që luan në këtë fazë të njërës prej garave të UEFA-s.
Ekipi i vetëm shqiptar që ka luajtur në fazën e grupeve është Skënderbeu i Korçës, i cili u paraqit në dy raste në Ligën e Evropës. Ballkani, si kampion i Kosovës, kupat evropiane i nisi në Ligën e Kampionëve, por u eliminua në rundin e parë nga Zhalgirisi i Lituanisë. Më pas aventurën evropiane e vazhdoi në Ligën e Konferencës, ku eliminoi La Fioritan e San Marinos dhe Klaksvikun e Ishujve Faroe për të arritur në fazën e plejofit. Tani, Ballkani është larg arritjes më të madhe – kualifikimit në fazën e grupeve – vetëm 90 minuta.