Janë shënuar zhvillime të reja në rastin e tentim-vrasjes së rëndë që ndodhi më 16 prill 2026 në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë.
Burimet e bëjnë të ditur se pas veprimeve intensive hetimore, Policia ka identifikuar si të dyshuar Liridon Canollin, Gramos Krasniqin, Kreshnik Krasniqin dhe Pajtim Maqkofcin.
Sipas informatave, policia ka kryer kontrolle në disa lokacione dhe në adresat e banimit të të dyshuarve, por ata nuk janë gjetur. Për këtë arsye, atyre u janë lënë ftesa për paraqitje në polici dhe janë shpallur në kërkim policor.
Më 20 prill 2026, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në QKUK është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit Pajtim Maqkofci, i cili pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, më 15 maj 2026, njëri nga të dyshuarit, Liridon Canolli, është paraqitur vullnetarisht në Njësinë për Hetimin e Krimeve në Prishtinë, i shoqëruar nga avokati mbrojtës.
Burimet bëjnë të ditur se ai ka dorëzuar edhe një armë zjarri me gjashtë fishekë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së veprës penale.
Pas intervistimit në prani të mbrojtësit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Liridon Canolli është ndaluar për 48 orë.
Hetimet për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” janë në vazhdim.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.




















