Banorë të shumë fshatrave dhe lagjeve në Komunën e Drenasit tash e disa ditë po përballen me mungesë të ujit të pijshëm, duke shkaktuar vështirësi të mëdha në jetën e përditshme të qytetarëve.
Të revoltuar me gjendjen e krijuar, qytetarët përmes portalit IndeksOnline kanë kërkuar nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” që të reagojë sa më shpejt dhe të rikthejë furnizimin e rregullt me ujë. Ata thonë se mungesa e ujit po zgjat prej disa ditësh, ndërsa në disa zona situata është edhe më e rënduar.
Për momentin nuk dihen arsyet e sakta që kanë çuar në ndërprerjen e furnizimit me ujë në këto përmasa, ndërsa qytetarët kërkojnë sqarime dhe zgjidhje urgjente nga institucionet përgjegjëse.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar sot edhe Komuna e Drenasit, e cila ka shprehur shqetësimin e thellë për mungesën e vazhdueshme të ujit të pijshëm në shumë vendbanime të komunës.
Sipas komunës, mijëra qytetarë tash e disa ditë, e në disa raste edhe më shumë se një javë, kanë mbetur pa furnizim me ujë. Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, ka kërkuar ndërhyrje urgjente dhe plan konkret nga KRU “Prishtina” për normalizimin e gjendjes.
Komuna ka theksuar se furnizimi me ujë të pijshëm është përgjegjësi e KRU “Prishtina”, por ka paralajmëruar se nëse situata vazhdon, do të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore ndaj operatorit përgjegjës për mbrojtjen e interesit të qytetarëve.
Ndërkohë, banorët presin që furnizimi me ujë të rikthehet sa më shpejt, pasi mungesa e tij po vështirëson seriozisht jetën e përditshme në kulmin e sezonit veror.



















