Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një ceremoni zyrtare Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Ekuadorit, Esteban Assar Moscoso Bohman, rezident në Romë, i cili i paraqiti Letrat Kredenciale.
Kreu i Shtetit i uroi Ambasadorit suksese në përmbushjen e misionit të tij diplomatik dhe shprehu vullnetin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Ekuadorit, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Gjatë takimit, Presidenti i Republikës vlerësoi bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare dhe kërkoi që Ekuadori të konsiderojë mundësinë e njohjes së Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë një kontribut të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.




















