Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës, duke bërë të ditur se emri i tij ishte propozuar si kandidat jopartiak pas një marrëveshjeje mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një deklaratë publike, Sejdiu ka bërë të ditur se rreth dy javë më parë ishte kontaktuar nga përfaqësues të LDK-së dhe më pas ishte ftuar në një takim të përbashkët me delegacione të kryesuara nga liderët e LDK-së dhe LVV-së.

Sipas tij, në atë takim ishte njoftuar se, pas një procesi të gjatë bisedimesh, të dy partitë kishin arritur pajtueshmëri që ai të propozohej si kandidat jopartiak për postin e Presidentit të vendit.

Sejdiu thotë se e kishte pranuar kandidaturën për shkak të situatës së rënduar institucionale dhe rrezikut që kriza politike të thellohej.

Ai ka theksuar se motivi i tij kryesor kishte qenë zhbllokimi i ngërçit institucional dhe krijimi i institucioneve stabile në një periudhë që, sipas tij, mbetet e mbushur me sfida për vendin.

Megjithatë, sipas Sejdiut, rrethanat politike kanë ndryshuar.

Ai ka bërë të ditur se mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përfshirja e procesit në përplasjet e brendshme politike e kanë shtyrë të marrë vendimin për tërheqje.

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sejdiu ka bërë të ditur se për vendimin e tij i kishte njoftuar paraprakisht përfaqësuesit e LDK-së dhe LVV-së.

Ai ka falënderuar mbështetësit e tij, duke veçuar kolegët, personalitetet publike, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fund të deklaratës, Sejdiu ka bërë thirrje që partitë politike të gjejnë rrugëdalje nga kriza institucionale dhe të shmangin thellimin e polarizimit.

“Republika e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët, e lindur nga ideale të pathyeshme dhe sakrifica sublime. Kosova qëndron mbi çdonjërin prej nesh”, ka shkruar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts