Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, u ka kërkuar falje disa anëtarëve të Gardës Kombëtare të cilët ishin fotografuar duke fjetur në një parking veturash.
Më shumë se 25 mijë trupa të Gardës Nacionale ishin vendosur ditën e inaugurimit në Washington, pas dhunës që kishte shpërthyer në fillim të këtij muaji në Kongresin Amerikan nga mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump, shkruan BBC.
Pamjet e shpërndara të enjten tregojnë forcat amerikane duke fjetur në një parking për vetura ndërkaq kushtet në të cilat po pushonin ata shkaktuan reagime të shumta në SHBA.
Për këtë arsye, presidenti Joe Biden ka thirrur shefin e Gardës Kombëtare dhe i ka kërkuar falje, raportojnë mediat amerikane.
Edhe Zonja e Parë, Jill Biden ka vizituar disa nga trupat për t’i falënderuar personalisht duke u dërguar biskota nga Shtëpia e Bardhë, si dhuratë.
“Desha të vij sot këtu për t’ju falënderuar të gjithëve që sot siguruat familjen time dhe mua”, kishte thënë Zonja e Parë.