Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, duke komentuar distancimin e shtetit të Serbisë për shpërthimin në Ibër-Lepenc, ka thënë se Nemanja Radivojeviq është krahu i djathtë i kryeterroristit Milan Radoiçiq, i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan para katër ditësh.
Siç thotë Bislimi, kjo tregon që edhe pse po distancohet, shteti i Serbisë vazhdon ta mbështesë dhe financojë Radoiçiqin, i cili sipas tij, po vazhdon të organizojë sulme në Kosovë.
Bislimi ka shkruar se zyrtarët serbë u patën distancuar edhe nga sulmi terrorist në Banjskë në shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Me një komunikatë të gjatë Lista Serbe u nxitua mbrëmë që të distancohet nga sulmi terrorist i eksplodimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, kur pakçka dihej. Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, u distancua vetëm që të mund ta sulmojë Kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot tha që nuk deshi të nxitohej në distancim të hershëm. Ndërkohë, kështu kanë thënë edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit kur e vranë rreshterin e policisë sonë, Afrim Bunjakun. Janë distancuar por ende e mbështesin dhe financojnë Millan Radoiçiqin i cili qarkullon nëpër Serbi dhe planifikon e organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit. Dora e djathtë e tij, Nemanja Radivojeviq – Gandi, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024, e që bashkë me sulmin në ndërtesën e komunës atje më 28 nëntor 2024, i paraprinë sulmit terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike që na mundëson ftohjen e termoelektranave që prodhojnë energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës përfshirë një pjesë të kryeqytetit, Prishtinës”, ka shkruar ai në Facebook.