Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka avancuar më tej kornizën rregullative për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbikëqyrjen e sjelljes në treg në sektorin e sigurimeve, përmes miratimit të dy rregulloreve që vendosin për herë të parë standarde të reja për zhvillimin dhe shpërndarjen e produkteve të sigurimit, informimin dhe transparencën ndaj klientëve, kostot dhe praktikat e reklamimit.

Përmes rregulloreve të sapo miratuara: Rregulloren për Zhvillimin, Shpërndarjen dhe Qeverisjen e Produkteve të Sigurimit dhe Rregulloren për Informimin, Reklamimin, Kostot dhe Transparencën ndaj Klientëve në Sigurime, duke u mbështetur njëkohësisht në standardet dhe praktikat ndërkombëtare për mbrojtjen e konsumatorit financiar, BQK vendos një standard të ri të mbrojtjes së konsumatorit dhe sjelljes në treg, duke e shtrirë mbrojtjen e klientit përgjatë gjithë ciklit jetësor të produktit të sigurimit, nga dizajnimi dhe aprovimi i produktit, përcaktimi i tregut të synuar dhe mënyra e shpërndarjes, deri te informimi, transparenca e kostove, reklamimi, monitorimi dhe masat korrigjuese pas vendosjes së produktit në treg.

Rregullorja për Zhvillimin, Shpërndarjen dhe Qeverisjen e Produkteve të Sigurimit vendos për herë të parë kërkesa të strukturuara për qeverisjen dhe mbikëqyrjen e produkteve. Produktet duhet të dizajnohen dhe shpërndahen duke marrë parasysh nevojat, objektivat, karakteristikat dhe profilin e rrezikut të klientëve për të cilët janë të destinuara.

Në të njëjtën kohë, Rregullorja për Informimin, Reklamimin, Kostot dhe Transparencën ndaj Klientëve në Sigurime krijon standarde të reja për transparencën dhe cilësinë e informacionit që i ofrohet klientit para dhe gjatë marrëdhënies kontraktuale. Ajo përcakton kërkesa të qarta për informimin lidhur me karakteristikat e produktit, mbulimin, përjashtimet dhe kufizimet, primet, kostot dhe tarifat, si dhe të drejtat dhe detyrimet e klientit.

Risi e rëndësishme është standardizimi i Dokumentit Informues për Produktin e Sigurimit (DIPS) për produktet e sigurimit jo-jetë, përmes të cilit konsumatori, para lidhjes së kontratës, do të ketë informacion të përmbledhur dhe të krahasueshëm për elementet kryesore të produktit.

Për herë të parë trajtohen në mënyrë të strukturuar edhe konsumatorët e cenueshëm, duke kërkuar nga siguruesit dhe ndërmjetësuesit masa të përshtatshme për trajtim të drejtë dhe qasje efektive në informacion dhe shërbime. Korniza e re adreson gjithashtu komunikimin përmes kanaleve digjitale dhe kërkon që institucionet të vlerësojnë kuptueshmërinë dhe efektivitetin e informacionit që u ofrohet klientëve.

Rregulloret forcojnë njëkohësisht përgjegjësinë e organeve drejtuese, funksioneve të kontrollit, pajtueshmërisë dhe auditimit të brendshëm për zbatimin dhe monitorimin e standardeve të mbrojtjes së klientit dhe sjelljes në treg.

Me këtë kornizë, BQK synon të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë në tregun e sigurimeve, të parandalojë praktikat e papërshtatshme të shitjes, të fuqizojë vendimmarrjen e informuar të konsumatorëve dhe të rrisë besimin në sektorin e sigurimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts