Një rast i dhunës në familje është raportuar në Mitrovicë të Veriut, ku një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, incidenti ka ndodhur më 19 qershor, rreth orës 20:00, në rrugën “Kral Petri”, ku Policia ka intervenuar pas raportimit për një rast dhune.
Patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar në Stacionin Policor dy persona, bashkëshortë mes vete.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari dyshohet se e ka goditur me grushte dhe shqelma bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në spital, ku pas marrjes së ndihmës mjekësore është liruar. Sipas raportit mjekësor, lëndimet janë cilësuar si të lehta trupore.
Lidhur me rastin është njoftuar njësiti për hetimin e dhunës në familje, ndërsa janë marrë deklaratat e palëve të përfshira.
Për viktimën është lëshuar urdhër mbrojtës, ndërsa pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është cilësuar si “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
I dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.



















