
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar lidhur me mënyrën se si, sipas tij, pushteti po u përgjigjet aferave, kontratave të dyshimta apo çështjeve që ndërlidhen me Serbinë.
Ai ka thënë se në vend që të jepen llogari për veprimet e pushtetit, po tentohet të disiplinohen sinjalizuesit dhe më pas të përdoren si arsyetim veprimet e qeverive të kaluara.
“U shndërru në hajgare kjo puna që sa herë këtyre në pushtet u del në shesh ndonjë aferë, kontratë e dyshimtë a diçka që ndërlidhet me Serbinë, në vend se të japin llogari për çka po bëjnë vetë, provojnë me i shukatë sinjalizuesit duke i disiplinu, e pastaj nisin e na tregojnë se të njëjtën gjë e kanë bërë edhe të tjerët”, ka shkruar Cakolli.
Cakolli ka thënë se edhe qeveritë e kaluara kanë bërë veprime të tilla, por sipas tij, pikërisht për këto çështje ato janë kritikuar dhe kanë humbur pushtetin.
“Po bre, i kanë bërë edhe të tjerët. Por pikërisht për ato punë i keni quajtur hajna e tradhtarë, edhe për ato punë kanë rënë nga pushteti, ndërsa ju keni ardhur duke thënë se jeni ndryshe”, ka deklaruar ai.
Në fund, Cakolli ka kritikuar përdorimin e së kaluarës si arsyetim për veprimet e pushtetit aktual.
“Se s’mund t’i quani “20 vjet keqqeverisje” kur flisni për të tjerët, e pastaj, sa herë del një situatë me juve, me u arsyetu me çka është bërë gjatë po atyre viteve”, ka shkruar Cakolli.
















