Në aktakuzën të cilën e ka siguruar Klan Kosova, Prokuroria përshkruan deklaratat e katër studenteve të Fakultetit të Mjekësisë të cilat janë cilësuar si të dëmtuara dhe dëshmitare në rastin ndaj profesorit Xhevat Krasniqi.

Bëhet fjalë për E. B, D. V, A. M dhe R. A, deklaratat e të cilave, sipas Prokurorisë, kanë qenë ndër provat mbi të cilat është mbështetur përshkrimi i gjendjes faktike në aktakuzë.

Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar gazetarja e Klan Kosovës, Blerta Ahmeti, Prokuroria vlerëson se gjendja faktike e përshkruar në dispozitiv është vërtetuar përmes deklaratave të katër të dëmtuarave, por edhe përmes deklaratave të më shumë se 20 dëshmitarëve të tjerë, të cilët pritet të dëgjohen në shqyrtimin gjyqësor, raporton Klan Kosova.

Prokurori i Shtetit, sipas aktakuzës, ka deklaruar se deklaratat e të dëmtuarave dhe dëshmitarëve janë në përputhje me njëra-tjetrën dhe se këtyre deklaratave u ka dhënë besim.

Mbi këtë bazë, Prokuroria konsideron se në veprimet e të pandehurit Xhevat Krasniqi janë manifestuar elementet e veprës penale nga neni 183 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të cilat, sipas aktakuzës, janë përshkruar në kohë, vend dhe mënyrën e kryerjes.

Por, cilat janë konkretisht pretendimet e katër studenteve?

E. B., D. V., A. M., dhe R. A., në deklaratat e tyre të dhëna në Polici dhe Prokurori, kanë përshkruar raste dhe sjellje që, sipas tyre, kanë ndodhur gjatë periudhës kur ishin studente të Fakultetit të Mjekësisë dhe kishin profesor Xhevat Krasniqin.

Këto janë deklaratat e tyre, ashtu siç janë përfshirë në aktakuzë:

R. A: Profesori më bëri komente me përmbajtje seksuale dhe më rrëzoi shtatë herë në provimin me gojë

Në deklaratën e saj në polici dhe Prokurori, studentja R. A., ka thënë se komentet e profesorit Xhevat Krasniqi ndaj studenteve kishin nisur që nga fillimi i ligjëratave të Matematikës, gjatë viteve 2022 dhe 2023.

Sipas saj, profesori u drejtohej vazhdimisht studenteve me komplimente dhe komente që ajo i konsideron seksiste. Për veten, ajo ka përmendur shprehje si “Po dokesh shumë bukur”, “Shumë mirë je vesh” dhe komente për ngjyrën e flokëve. Ajo ka treguar edhe një rast kur profesori u kishte thënë studenteve: “Cili është dallimi midis femrës dhe perdes?”, për t’iu përgjigjur vetë: “Të dyjat ta bojnë terr”.

R.A., ka deklaruar se disa nga rastet, veçanërisht konsultimet dhe provimet me gojë, kanë ndodhur në zyrën e profesorit, ku sipas saj dera mbyllej dhe hynte vetëm një studente.

Ajo ka përshkruar edhe një rast më 22 shtator 2023, kur, sipas deklaratës së saj, profesori i kishte thënë: “A po don me ta caktu një takim një ditë tjetër veç me kushtin që nuk i tregon kërrkujt”, ndërsa më pas, sipas saj, e kishte rrëzuar në provim dhe i kishte thënë të paraqitej në afatin tjetër.

R.A., thotë se provimin me shkrim e kishte kaluar, ndërsa në provimin me gojë ishte nënshtruar shtatë herë, pa arritur ta kalonte.

Ajo ka deklaruar se nuk e kishte raportuar menjëherë profesorin, pasi kishte pasur frikë se mund të hakmerrej duke mos e kaluar në provim. Bashkë me koleget, sipas saj, më vonë kishin përgatitur një ankesë për Këshillin Etik të Fakultetit, duke kërkuar edhe që provimi me gojë të mos mbahej në zyrën e profesorit.

R.A., ka deklaruar se komentet e bëra publikisht gjatë ligjëratave ishin dëgjuar edhe nga studentë të tjerë, ndërsa për rastet në zyrën e profesorit thotë se kishte qenë vetëm ajo me të.

Në fund të deklaratës, ajo ka thënë se i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj Xhevat Krasniqit dhe parashtron kërkesë pasurore juridike.

Studentja E.B., ka dhënë deklaratë në Polici dhe Prokurori, duke e akuzuar profesorin Xhevat Krasniqi për sjellje të pahijshme, ngacmim seksual dhe parregullsi gjatë vlerësimit në provim.

Sipas deklaratës së saj, rasti i parë ka ndodhur në shkurt të vitit 2023, gjatë provimit të matematikës. E.B., pretendon se profesori i është afruar gjatë testimit dhe e ka pyetur se çfarë dëshiron të pijë.

Ajo thotë se disa ditë më vonë, gjatë konsultimeve për provim, kur ishte në zyrën e profesorit bashkë me dy kolegë, Krasniqi i ishte drejtuar me fjalët se ishte “i drejtë me vlerësim” dhe se “kur të duash” mund t’i bënte masazh, duke e shoqëruar këtë edhe me gjeste.

Sipas dëshmisë së E.B.,, më pas profesori e kishte vendosur krahun në shpatullat e saj dhe kishte tentuar ta përqafonte. Ajo deklaron se ishte shtangur, kishte lënë provimin dhe kishte dalë nga zyra.

Studentja pretendon gjithashtu se profesori i kishte thënë të priste dhe më pas, para kolegëve të saj, i kishte thënë se në afatin e prillit do të pyetej vetëm me gojë. Sipas saj, në atë afat nuk ishte lejuar të hynte në pjesën me shkrim të provimit.

E.B e kundërshton këtë praktikë, duke pretenduar se provimi me gojë nuk ishte i paraparë si i detyrueshëm në syllabusin e lëndës. Ajo thotë se Prokurorisë ia ka dorëzuar edhe dokumentacionin përkatës.

Në deklaratën e saj, studentja përmend edhe një rast tjetër, të datës 22 dhjetor 2022. Ajo pretendon se, pas ushtrimeve, profesori u kishte bërë asaj dhe një kolegeje komente për buzët e tyre, duke i thënë koleges se mund t’i lyente buzët sa të donte, por nuk mund t’i kishte si E……

E.B, thotë se këto raste i ka paraqitur në Dekanat në shkurt të vitit 2024. Sipas saj, denoncimin nuk e kishte bërë më herët për shkak të frikës se mund të fajësohej si viktimë dhe për shkak se nuk e kishte ditur se veprimet e pretenduara mund të përbënin vepër penale.

Ajo deklaron se më vonë kishte marrë pjesë në një anketë anonime për ngacmimin seksual të profesorëve ndaj studentëve, të zhvilluar nga organizata “Kosova 2.0”, ku kishte përshkruar edhe rastet që pretendon se i kishin ndodhur, pa e përmendur emrin e profesorit. E.B., i ka kërkuar Prokurorisë që kjo anketë të sigurohet si provë.

Në deklaratën e saj, studentja ngre edhe mospërputhje që, sipas saj, ekzistojnë ndërmjet deklarimeve të profesorit në Këshillin e Etikës dhe dokumenteve të provimit, përfshirë mënyrën e llogaritjes së pikëve dhe nëse provimi me gojë ishte apo jo i detyrueshëm.

Ajo thotë se lëndën e matematikës e ka kaluar pjesën me shkrim, por nuk e ka kaluar provimin me gojë, duke pretenduar se profesori i kishte bërë pyetje jashtë materialit me qëllim që ta rrëzonte.

Në fund, E. B., ka deklaruar se e konsideron veten të dëmtuar dhe se do të parashtrojë edhe kërkesë pasurore-juridike në kuadër të procedurës penale.

Studentja D. V., ka dhënë dëshmi në Polici dhe Prokurori, duke e akuzuar profesorin e matematikës, Xhevat Krasniqi, për komente dhe sjellje që, sipas saj, kanë pasur përmbajtje dhe qëllime seksuale.

D.V., studente e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, pretendon se gjatë ligjëratave në vitin 2022 dhe 2023, profesori vazhdimisht u ka bërë studenteve komplimente për pamjen fizike dhe ka bërë komente personale për gruan e tij.

Ajo përshkruan edhe një rast gjatë kollokfiumit në dhjetor të vitit 2022. Sipas deklaratës së saj, profesori e kishte shikuar nga lart-poshtë dhe i kishte thënë se mund të ulej ku të donte. Kur i kishte dorëzuar testin, ajo pretendon se profesori e kishte pyetur se çfarë kishte “nër fun”.

D.V., thotë se e kishte pyetur profesorin se çfarë lidhjeje kishte kjo me provimin dhe pse pyetja i ishte bërë vetëm asaj.

Një tjetër rast, sipas saj, ka ndodhur bashkë me studenten E. B. Derisa po largoheshin nga kampusi pas ligjëratave, D.V., pretendon se profesori u kishte bërë koment për buzët e tyre dhe më pas, duke iu drejtuar asaj, i kishte thënë të mos i lyente buzët si kolegia, pasi nuk i kishte buzët si të sajat.

D.V., përmend edhe një rast në prill të vitit 2023, gjatë konsultimeve. Ajo thotë se e kishte lënë derën pak të hapur, ndërsa profesori i kishte bërtitur ta mbyllte, duke i thënë se nuk ishte në kafe që të bënte çfarë të donte. Sipas saj, këtë reagim e kanë dëgjuar edhe studentë të tjerë që prisnin për konsultime.

Në dëshminë e saj, D.V., thotë se komentet dhe shprehjet e profesorit ndaj saj i konsideron me përmbajtje dhe qëllime seksuale. Ajo pretendon gjithashtu se në rastet kur profesori i kishte bërë këto komente, zakonisht kishte pasur studentë të tjerë të pranishëm, të cilët, sipas saj, mund t’i kenë dëgjuar.

D.V., deklaron se fillimisht, së bashku me studente të tjera, kishin synuar që rastin ta trajtonin vetëm brenda Fakultetit dhe jo përmes mediave. Megjithatë, sipas saj, vendosën të kërkonin ndërhyrjen e institucioneve pasi kishin vërejtur se sjelljet e profesorit ndaj studenteve vazhdonin.

Ajo ka deklaruar se provimin e matematikës te profesori Xhevat Krasniqi e ka përfunduar dhe se nuk parashtron kërkesë pasurore-juridike, ndërsa për ndjekjen penale ka thënë se vendimin ua lë organeve të drejtësisë.

Edhe studentja A. M., ka dhënë dëshmi në Polici dhe Prokurori, duke e akuzuar profesorin e matematikës, Xhevat Krasniqi, për komente seksiste dhe, sipas saj, me përmbajtje dhe qëllime seksuale.

A.M., studente e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ka deklaruar se gjatë ligjëratave dhe ushtrimeve në vitin e parë kishte dëgjuar profesorin duke iu drejtuar studenteve të tjera me komente për pamjen e tyre, si “po dukesh bukur”, “po kesh bukur” dhe “koke vesh bukur”.

Sa i përket rastit personal, ajo përshkruan një ngjarje të ndodhur në janar të vitit 2023, pasi kishte përfunduar provimin me shkrim dhe ishte paraqitur në pjesën me gojë.

Sipas deklaratës së saj, derisa po priste bashkë me studentët e tjerë në korridorin e Fakultetit të Edukimit, profesori kishte dalë nga zyra dhe i ishte drejtuar asaj me një koment për mënyrën se si ishte veshur. A.M., pretendon se profesori i kishte thënë se i duhej vetëm një fotograf për të dhe se fotografia e saj mund të arrinte deri në Amerikë.

Studentja deklaron se në atë moment ishte ndier e frikësuar dhe e shqetësuar dhe nuk kishte ditur si të reagonte, pasi, sipas saj, nuk ishte përballur më herët me komente të tilla në një institucion arsimor.

A.M., thotë se nuk ka pasur përvoja të tjera personale me profesorin, pasi e kishte përfunduar provimin në prill të vitit 2023 dhe më pas nuk ishte përballur me të.

Ajo ka deklaruar se shprehjet e profesorit ndaj saj i konsideron me përmbajtje dhe qëllime seksuale. Sipas saj, rasti nuk ishte raportuar menjëherë pasi studentet ishin në vitin e parë dhe nuk kishin përvojë të mëhershme, ndërsa nuk dinin se kujt duhej t’i drejtoheshin.

Ajo ka deklaruar se provimin e matematikës te profesori Xhevat Krasniqi e ka kaluar dhe se i bashkëngjitet ndjekjes penale, ndërsa ka paralajmëruar edhe kërkesë pasurore-juridike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts