Një debat i tensionuar ka shpërthyer mes Mozës dhe Adit brenda “Ferma VIP”, ku shkak është bërë përdorimi i një fjale sllave në fjalorin e përditshëm.
Gjithçka nisi pasi Moza i kujtoi Adit një diskutim të mëparshëm, duke supozuar se ai mund ta dinte kuptimin e një fjale për shkak të afërsisë gjeografike dhe faktit që shumë shqiptarë të asaj gjenerate, përfshirë prindërit e tyre, i kanë njohur këto gjuhë.
Megjithatë, Adi u shfaq dukshëm i nervozuar, duke e lidhur menjëherë temën me serbishten dhe duke refuzuar kategorikisht idenë se ai duhet të ketë njohuri në atë gjuhë, me argumentin se ai është “komshi vetëm me Shqipërinë”.
Gjatë përplasjes, Moza u përpoq të sqaronte se bëhej fjalë për një çështje thjesht linguistike dhe se fjala në diskutim do të thoshte “dreq”, por Adi vazhdoi të insistonte në qëndrimin e tij.
Edhe kur Moza përmendi faktin se babai i saj dhe ai i Adit e kanë ditur serbokroatishten për shkak të kohës kur kanë jetuar, Adi u kundërpërgjigj me pyetjen:
“Çfarë kulture gjuha sllave, çfarë kulture ta di unë gjuhën sllave?”.
Pavarësisht përpjekjeve të Mozës për të shpjeguar se gjuhët janë pasuri dhe se popujt e kulturat kanë vlerë përtej politikës, Adi e zhvendosi bisedën në një terren më të ashpër, duke u shprehur se dëshironte t’i debatonte këto gjëra “në sy të shqiptarëve”.
Ky shpërthim i Adit ka ngjallur dyshime nëse ka qenë i qëllimshëm për të fituar vëmendje brenda formatit, por reagimi i publikut ka qenë i menjëhershëm.
Në faqet zyrtare të “Ferma VIP”, Adi ka marrë një numër të madh komentesh negative, ku shikuesit e kanë cilësuar si një person që kërkon me ngulm konfliktin dhe që nuk po e kuptonte qartë argumentin e tjetrit.
Nga ana tjetër, Moza ka dalë fituese në sytë e ndjekësve, të cilët e kanë vlerësuar lart si një personazh intelektual dhe të kulturuar, duke treguar qetësi në një debat që lindi nga një keqkuptim i thjeshtë gjuhësor.




















