Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se anëtarët e grupit punues për hartimin e strategjisë së apelit në Hagë janë dakorduar që puna e këtij grupi të mbahet konfidenciale dhe të mos ketë deklarata publike për përmbajtjen e diskutimeve, raporton Ekonomia Online.
Pas përfundimit të takimit të dytë të grupit punues, i cili është mbajtur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, Çitaku ka thënë se anëtarët janë pajtuar që procesi të zhvillohet pa bërë publike detajet e marrëveshjeve dhe diskutimeve.
“Ne jemi dakorduar për konfidencialitetin e këtij grupi. Duhet të flasë puna, jo deklaratat. Disa marrëveshje po, jo për publik”, tha Çitaku.
Në takimin e grupit punues, i cili udhëhiqet nga ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, kanë marrë pjesë edhe deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deputeti i Aleancës, Bekë Berisha, si dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.
Grupi punues është themeluar për hartimin e strategjisë shtetërore për apelimin e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.



















