Çmimet e konsumit në Kosovë janë rritur për 7.5 për qind në prill të këtij viti, krahasuar me prillin e vitit 2025.

Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin prill 2026, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni mujor ka qenë 1.1 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 7,5 % në muajin prill 2026, krahasuar me muajin prill 2025. Inflacioni mujor ishte 1,1 % në muajin prill 2026”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas ASK-së, inflacioni vjetor është ndikuar kryesisht nga ngritja e çmimeve në disa kategori, përfshirë transportin (16,1 %), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (15,2 %), restorante dhe shërbime akomodimi (5,8 %), ushqim dhe pije joalkoolike (5,6 %), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,1 %), shëndetësi (4,7 %), kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,6 %), mobile dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (3,1 %), rekreacion, sport dhe kulturë (3,0 %) dhe veshje e këpucë (2,3 %).

Rënie e çmimeve është regjistruar në grupin e informacionit dhe komunikimit (-0,2 %) dhe në arsim (-0,6 %).

Sa i përket inflacionit mujor prej 1.1 për qind, ASK thotë se ai është ndikuar nga rritja e çmimeve në kategoritë: transport (4,9 %), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (1,2 %), rekreacion, sport dhe kulturë (0,4 %), mobilje dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (0,3 %), ushqim dhe pije joalkoolike (0,1 %) dhe veshje e këpucë (0,1 %).

Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar te grupi i kujdesit personal, mbrojtjes sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (-0,2 %).

Related Posts