Ai thotë se rritje të tillë nuk ka pasur kurrkund në botë.
“…sa për informim, ngritje 200 për qind, nuk ka pasur gjëkundi, as në Kubë dhe as në Venezuelë, pos paralajmërimit nga ZRRE-ja se do të ndodhë në Kosovë”, shkruan zoti Gjata.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që sipas të gjitha dokumenteve valide duhet të jetë organ i pavarur, i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen qendrore dhe gazin, dje (e hënë, 17 janar 2022) u tregua një mashtrues ordiner, i pacipë dhe fare i pamoralshëm. Jo vetëm që nuk iu përmbajtë premtimit të vazhdueshëm se nuk do të ketë ngritje çmimi të rrymës në Kosovë më shumë se 7 për qind, por propozoi edhe shtrenjtimin enorm të paparë dhe të pamatë deri tash, 200 për qind, ose më saktësisht nga 6,75 euro/centë për kilovat-orë në 21 euro/centë për kilovat-orë. Dhe këtë propozim që KEDS-i as që është kujtuar ta bëjë deri më sot, e bëri dje ZRRE (KEDS, siç dihet, ka kohë që kërkon ngritje çmimi të energjisë elektrike 30-40 për qind), dhe që e arsyeton gjoja për t’i detyruar kosovarët ta kursejnë energjinë elektrike.
Për ta parë më konkretisht mashtrimin ordiner të ZRRE-së, duhet parë dhe analizuar raportin për shqyrtim të jashtëzakonshëm të ZRRE-së që ka propozuar 4 ngritje çmimesh dhe që shkojnë nga 0,75 euro/centë sa është çmimi aktual në 21 cent, ose nga 9 për qind në mbi 200 për qind, sa ka propozuar ZRRE.
“Propozimi ynë është që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 9% për komponentën e energjisë të tarifave për konsumatorët biznesorë dhe për nivelin e konsumit deri në 600 kËh të konsumatorëve shtëpiak”, thuhet në raportin e ZRRE-së.
Në bazë të analizave të sipërfaqëshme, shihet qartë “hilja” për të mashtruar konsumatorin, – qytetarin e Kosovës, gjoja për rritje thuaja të vogël dhe të pavërejtshme, ndërkohë që propozimi real sipas të dhënave të publikura është i frikshëm, tronditës dhe thënë troç i papërballueshëm për kosovarët e varfër.
Sepse, ZRRE-ja në raportin e bërë publik propozon që “niveli i konsumit mbi 600 kËh, që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, të furnizohet me tarifë prej 0.21 euro/kËh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 euro/kËh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët”.
Tek ky propozim qëndron farsa dhe mashtrimi i vrazhdë i ZRRE-së, pasi që dihet për “lëndinë”, dhe këtë më mirë se ZRRE nuk e ka të njohur askush, se kategoria e konsumatorëve që shpenzojnë më shumë se 600 kilovat-orë në Kosovë (por edhe në të gjitha vendet në zhvillim) është numerikisht më e madhja, madje absolutisht më e numërta.
Praktikisht në këtë kategori hyjnë të gjitha ato familje që në shtëpitë e tyre kanë dhe përdorin një lavatriçe, një shporet elektrik, një bojler, një fshesë elektrike, një frigorifer dhe një pjatalarëse, gjegjësisht pajisjet e domosdoshme elektrike për një shtëpi normale modeste në Kosovë. Nuk po i llogaritim këtu fare numrin e familjeve që krahas pajisjeve elementare, energjinë elektrike e shfrytëzojnë për ngrohje, në mungesë të alternativave për ta ngrohur shtëpinë e tyre.
Me fjalë të tjera, çmimi i propozuar nga ZRRE-ja prej 0.21 euro/centë kilovat-orë për mbi 70-deri në 80 për qind të kosovarëve do të thotë dyfish çmim më i lartë dhe mbi 200 për qind ngritje çmimi. Të tjerat të dhëna që ZRRE në mënyrë pompoze i shpërfaqë në raport janë broçkulla, gënjeshtra dhe mashtrim i kosovarëve. Broçkullë tipike është pra “fatura me konsum mesatar prej 450 kËh do të rritet për 2.29 euro në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06 euro në muaj”: Ku janë këta konsumatorë?
Të dhënat nga hulumtimet flasin se ata janë fare margjinalë, të papërfillshëm. Janë fare të paktë kosovarët sot që nuk e kanë një shporet elektrik, ose një bojler. Mashtrim ordiner dhe fare i pacipë është edhe pohimi i ZRRE-së në raport, se “Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kËh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kËh rritet për €26.98, ndërsa për konsum mujor prej 1000 kËh me €50.89”.
Sepse, po qe se një familje kosovare shpenzon 800 kËh do të paguajë së paku 160 euro në muaj për energjinë elektrike dhe në asnjë mënyrë sa thotë ZRRE-ja. Ju lutem, qytetarë të nderuar, merrne kalkulatorin dhe llogaritni (shumëzoni) 800 herë 21 dhe shuma që do të dalë nga kjo llogari është çmimi që do të paguajnë kosovarët nga propozimi i ZRRE-së. Njësoj dëshmohet edhe shuma që do të paguajnë kosovarët që shpenzojnë 1 mijë kilovat-orë (që pak a shumë është mesatarja mujore e shpenzimit të konsumatorëve kosovarë të rrymës për një muaj, e dhënë kjo që potencohet në shumë hulumtime edhe nga KEDS-i) për një muaj, gjegjësisht rreth 210 euro në muaj.
Perfiditeti i ZRRE-së u shpërfaqë dje sheshazi edhe në përpjekjet e këtij institucioni për të fshehur bërjen publike të miratimit të bllok-tarifave nëpërmjet së folmes së tërthortë, me dykuptime. Vetëm, fare në fund, gjegjësisht në pasuesin e fundit, shihet qartë tendenca e ZRRE-së për të aplikuar bllok-tarifat, që në fakt është ngritje shumë më e lartë e çmimit të energjisë elektrike sesa ka kërkuar KEDS-i.
Në fakt, ZRRE-ja, me këtë propozim, nëse pranohet, ka ngritur dy herë çmimin e rrymës: një herë rritjen e paralajmëruar prej 9 për qind (ZRRE gjithë herë ka thënë se ndoshta do të ketë një ngritje prej 7 për qind) dhe rritja tjetër që është enorme dhe e paparë ndokund në këtë lartësi është rikthimi i bllok-tarifave famëkeqe, nëpërmjet të cilave ia ka çuar në ‘pjatë’ çmimet stratosferike KEDS-it, të cilat as që i ka ëndërruar ndonjë herë.
“Propozimi i ZRRE-së është që kostot shtesë të mbulohen përmes një strukture tarifore me dy blloqe, të ndara në kufirin 600 kËh, pasi që deri në këtë nivel të konsumit mujor konsumatorët mund të furnizohen nga kapacitetet vendore dhe me tarifë mesatare të ngjashme me tarifën ekzistuese. Në këtë mënyrë, tarifat për konsumin në bllokun e parë reflektojnë koston mesatare të ofrimit të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore.
Ndërkaq, për konsumatorët që konsumojnë mbi 600 kËh duhet të importohet energji pasi që kjo nuk mund të ofrohet nga kapacitetet vendore. Rrjedhimisht, tarifa për këta konsumatorë duhet të reflektojë çmimin e importit për energjinë e konsumuar mbi 600 kËh”. Këtë mënyrë arsyetimi nuk mund ta hasësh kurrë dhe askund gjetiu, pos në raportin e ZRRE-s, që me këtë propozim çmimesh i bën kosovarët njerëzit e vetëm në botë, që duhet të punojnë vetëm për ta paguar rrymën, që i bie për të shtuar fitimin e KEDS-it, madje do të ketë shumë kosovarë që as këtë nuk do ta arrijnë me të ardhurat e tyre.
ZRRE-ja gënjeu haptas, jo një herë këtyre ditëve, rreth rikthimit të bllok-tarifave, duke heshtur, ose dkuke fshehur nga publiku synimin për rikthimin e këtyre tarifave. Asnjëherë, deri dje nuk u prononcua rreth tyre. E heshti thuaja këtë paralajmërim ogurzi për konsumatorët kosovarë të rrymës. Dhe vendosi si është më së keqi për kosovarët e varfër, duke ua bërë kështu një shërbim të madh ndërmarrjeve private të shpërndarjes dhe të furnizimit me rrymë.
ZRRE e di fare mirë, se fare të pakta në numër janë familjet kosovare, madje simbolike, që do të kishin favore nga rivendosja e bllok-tarifave të propozuara tashmë egërsisht me çmime të larta, ndërsa numri dërrmues do të jetë ai që do të paguajë dy herë çmimin e ngritur të rrymës- një herë nga rritja e pritshme dhe e paralajmëruar nga KEDS-i dhe thuaja nga shumica absolute e institucioneve shtetërore vendimmarrëse dhe së dyti nga çmimi i ngritur, shumë më shumë nga rivendosja e bllok-tarifave. Prandaj, urgjentisht, pa humbur asnjë çast të vetëm dikush, nga vendimarrësit, institucionet përkatëse, por edhe nga shoqëria civile dhe pse jo nga vetë kosovarët, të reagojnë në këtë ‘blasfemi’ të ZRRE-së, që është unike në botë nga e keqja. Sepse, rritje të çmimit të energjisë elektrike pas krizës globale ka pasur ndër shtete të shumta të botës, madje edhe nga ato të fuqishmet. Mirëpo, këto rritje në asnjë rast nuk kanë kaluar 30-40 përqindëshin, dhe si të tilla kanë ngritur reagime të panumërta, protesta dhe pakënaqësi të tjera të shumta. Ndërsa, sa për informim, ngritje 200 për qind, nuk ka pasur gjëkundi, as në Kubë dhe as në Venezuelë, pos paralajmërimit nga ZRRE-ja se do të ndodhë në Kosovë. /Buletini Ekonomik/