Dasma luksoze e këngëtares Dua Lipa dhe aktorit Callum Turner në Palermo të Italisë ka shkaktuar reagime nga banorët vendas, për shkak të masave të shtuara të sigurisë dhe kufizimeve në disa zona të qytetit.

Sipas raportimeve, qindra të ftuar nga bota e showbiz-it kanë nisur të mbërrijnë në Siçili për ceremoninë tre-ditore, e cila po zhvillohet në disa prej lokacioneve më historike të Palermos, përfshirë Piazza Croce dei Vesperi dhe Palazzo Gangi. Zonat përreth janë rrethuar me barriera sigurie, kontrolle të rrepta dhe ekrane të mëdha për menaxhimin e turmave.

Megjithatë, organizimi i eventit ka shkaktuar pakënaqësi mes banorëve, të cilët kanë vendosur postera proteste në rrugët e qytetit. Në pankarta shkruhej, ndër të tjera: “Palermo nuk jepet me qira” dhe “Sheshi ynë nuk është dhoma juaj e ndenjes”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kufizimeve të vendosura për shkak të dasmës.

Raportohet gjithashtu se disa biznese lokale janë detyruar të mbyllen më herët, ndërsa banorëve pranë zonave të festimeve u është kërkuar të mbajnë të mbyllura dritaret dhe ballkonet që kanë pamje nga aktivitetet.

Në terren janë vendosur masa të shtuara sigurie, përfshirë zona ku ndalohet fluturimi i dronëve dhe mbi 50 truproja të angazhuar për eventin.

Pavarësisht kritikave, kryebashkiaku i Palermos ka mbrojtur organizimin e dasmës, duke theksuar se një event i tillë sjell promovim ndërkombëtar dhe përfitime ekonomike për qytetin, ndonëse ka pranuar se kufizimet mund të kenë sjellë shqetësime të përkohshme për banorët.

Dasma, e vlerësuar në rreth 1.5 milion euro, pritet të mbetet një nga ngjarjet më të komentuara të vitit në botën e showbiz-it.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts