Prindërit e një 13-vjeçari në Itali janë vënë nën akuzë për vrasje nga pakujdesia, pasi djali i tyre dyshohet se shkaktoi vdekjen e një turisteje duke hedhur një statujë të rëndë nga ballkoni.

Prokuroria e Napolit ka kërkuar që çifti të dalë në gjyq, duke argumentuar se ngjarja tragjike e ndodhur më 15 shtator 2024 mund të ishte parandaluar nëse ata do të kishin ushtruar mbikëqyrje më të madhe ndaj fëmijës së tyre.

Viktima, 30-vjeçarja Kiara Xhakonis, u godit në kokë nga një statujë oniksi me peshë rreth 1.2 kilogramë, ndërsa po ecte në rrugë së bashku me partnerin e saj. Pamjet filmike nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur ajo bie në tokë, ndërsa partneri i saj kërkonte ndihmë, shkruan vizionplus.tv.

E reja u dërgua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, por ndërroi jetë dy ditë më vonë si pasojë e dëmtimeve të rënda në kokë.

Sipas policisë, objekti është hedhur nga ballkoni i katit të tretë nga 13-vjeçari. Megjithatë, ai është shpallur i pafajshëm nga gjykata e të miturve, pasi sipas ligjit italian, fëmijët nën moshën 14 vjeç nuk mbajnë përgjegjësi penale.

Prokurorët synojnë tashmë të mbajnë përgjegjës prindërit, duke pretenduar se nuk kanë ushtruar kontroll të mjaftueshëm dhe se i mituri dyshohet të ketë kryer edhe më parë veprime të rrezikshme.

Nga ana tjetër, prindërit mohojnë çdo përgjegjësi, duke deklaruar përmes avokatëve se nuk kishin dijeni për ngjarjen dhe se objekti i hedhur nuk ishte në pronësi të tyre. Ata kanë apeluar gjithashtu vendimin për djalin e tyre, duke kërkuar që ai të shpallet i pafajshëm mbi bazën e fakteve dhe jo vetëm për shkak të moshës.

Seanca paraprake në Gjykatën e Napolit është caktuar të mbahet më 26 qershor, për të vendosur nëse çështja do të kalojë në gjyq.

Related Posts