Dogana e Kosovës ka arritur të inkasojë deri më sot 1 miliard e 7 milionë € të hyra, duke shënuar një rritje prej 5.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ishin inkasuar të hyra në lartësi prej 955 milionë €.
Ky sukses është rezultat i disa faktorëve kyç:
• Përformanca e qëndrueshme ekonomike dhe bashkëpunimi i ngushtë me sektorin privat;
• Përmbushja ligjore nga ana e komunitetit të biznesit;
• Rritja e efikasitetit në luftimin e ekonomisë joformale dhe krijimi i lehtësirave tregtare;
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të këtij viti është aplikimi i deklarimit para arritjes së mallrave. Ky hap vjen pas shtetëzimit të plotë të terminaleve Doganore sipas vendimit te Kryeministrit, si dhe heqjes së pagesave për to—një sfidë kjo e adresuar për vite me radhë në Raportin e Progresit, e cila sfide vitin e kaluar u vlerësua si e tejkaluar. Rezultatet e para të këtij sistemi janë mjaft pozitive dhe janë mirëpritur lart nga komuniteti i tregtarëve.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në vazhdimin e përpjekjeve për avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve të saj operative.




















