Kandidati për president në radhët e republikanëve Donald Trump kërcënoi me burgim të përjetshëm Mark Zuckerbergun, nëse shefi ekzekutiv i Meta-s tenton të komplotojë kundër tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Ish-presidenti ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se magnati i teknologjisë ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të 2020-s në favor të Joe Bidenit.
“Ne po e vëzhgojmë atë nga afër dhe nëse ai bën ndonjë gjë të paligjshme këtë herë, ai do të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij në burg, ashtu si të tjerët që do të përpiqen të mashtrojnë në zgjedhjet presidenciale të 2024-s”, shkruan Trumpi në librin “Save America”, që pritet të dalë shumë shpejt.
Sipas shtëpisë botuese “Winning Team Publishing”, libri i Trumpit do të kushtojë 99 dollarë, teksa një kopje e nënshkruar me firmën e ish-presidentit do të arrijë deri në 400 dollarë.
Deklarata e Trumpit vjen pasi Zuckerbergu i dërgoi një letër kryetarit të Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan, ku rrëfehet se administrata Biden i bëri presion Facebook-ut që të censuronte përmbajtjen e Covidit-19 në vitin 2021, shkruan A2 CNN-i.
Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë pretendimet e Zuckerbergut dhe tha se “inkurajonte veprime të përgjegjshme” nga Facebook për të garantuar sigurinë publike.