Policia e Kosovës ka shqiptuar gjoba ndaj dy personave në Klinë, pasi dyshohet se i kanë vënë zjarrin hamulloreve pas korrjes së grurit, duke rrezikuar përhapjen e zjarrit.

Sipas njoftimit policor, rasti i parë është raportuar më 30 korrik rreth orës 11:00 në fshatin Caravik. Njësitë policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa pronari i tokës ka pranuar se kishte djegur hamulloret pas korrjes së grurit. Me urdhër të prokurorit, rasti është evidentuar me shënim zyrtar dhe ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 euro.

Rasti i dytë ka ndodhur po atë ditë, rreth orës 15:25, në fshatin Dollc, ku zjarri kishte përfshirë rreth 2 deri në 3 hektarë tokë bujqësore. Në vendin e ngjarjes policia ka hasur edhe tre traktorë duke punuar në arë. Pronari i tokës ka pranuar se i kishte vënë zjarrin hamulloreve për pastrimin e pronës së tij. Edhe në këtë rast, me udhëzim të prokurores kujdestare, lënda është evidentuar me shënim zyrtar, ndërsa kundërvajtësi është gjobitur me 500 euro.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë personave që, me veprimet e tyre, rrezikojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.

Njëkohësisht, është bërë apel që qytetarët të tregojnë kujdes maksimal gjatë çdo aktiviteti që mund të shkaktojë zjarre, si përdorimi i shkrepëseve, cigareve, grilave apo ndezja e zjarreve në natyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts