E rëndë në Shqipëri, 69-vjeçari i vë flakën bashkëshortes pas një konflikti – arrestohet
Ngjarje e rëndë në fshatin Karakavec të Përrenjasit, ku një 69-vjeçar dyshohet se i ka vënë flakën bashkëshortes së tij pas një konflikti në familje.
Sipas të dhënave të para, dhuna në familje kishte qenë e vazhdueshme prej kohësh dhe viktima kishte qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje gjatë tre muajve të fundit.
Sipas policisë, Gani Danga ka lyer me benzinë gruan 67-vjeçare dhe më pas i ka vënë flakën, raporton euronews. Menjëherë pas ngjarjes, 67-vjeçarja është transportuar mbrëmë drejt spitalit rajonal të Elbasanit, ku pasi mori ndihmën e nevojshme mjekësore u transportua për në repartin e djegieve në Tiranë.
Paraprakisht, burime spitalore bëjnë me dije se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 69-vjeçari është arrestuar, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



















