Vetëm brenda një dite në marketet në Kosovë, ka fluturuar çmimi i një litre të vajit. Nga 1.75 sa ka qenë deri të marten, sot ka arritur në 3 euro e gjysmë. Gazeta Insajderi, merr vesh se pronarët e bizneseve të mëdha fillimisht e kanë tërhequr sasinë e vajit nëpër depot ushqimore, duke shkaktuar panik te qytetarët, se ka mungesë të këtij produkti. Derisa sot e kanë ekspozuar me çmimin prej 3.49 euro. Mashtrimin e tregtarëve, për Gazetën Insajderi e ka zbuluar, njëri nga përgjegjësit për importin e vajit në Kosovë. Ai ka thënë se nuk ka pasur mungesë të vajit dhe se të hënën bizneset e kanë blerë nga ta vajin me çmimin normal. “Dyfishimi brenda natës i çmimit është kryekëput mashtrim i tregtarëve”, tha ai.
Përveç shtrenjëtimit të çmimit të bukës, miellit, derivateve, biletave të udhëtimit, në çmim marramendës ka arritur një litër vaji në Kosovë. Sot nëpër marketet ushqimore çmimi i vajit ka arritur në 3.49 euro.
Duke i vënë në panik qytetarët, këto biznese e kanë kufizuar edhe sasinë e blerjes. Në rafte ku është i eksporzuar vaji, shkruan se vetëm katër shishe mund të marrin qytetarët.