Ai vuri në dukje se një numër kompanish – duke përfshirë Figure, LimX Dynamics, Apptronik dhe Tesla – po punojnë për të prodhuar në masë robotë humanoide në mjedise industriale, ku ata do të punonin së bashku me njerëzit ose do t’i zëvendësonin ata plotësisht.
Ndërsa disa nga këto kompani besojnë se ky zbulim i madh mund të vijë që në dy vjet, Brooks thotë se “të besosh se kjo do të ndodhë në dekadat e ardhshme është fantazi e pastër”.
Ai përmend sfidat e përpjekjes për të imituar kompleksitetin e dorës njerëzore dhe shkathtësinë e saj natyrore si një nga më të mëdhatë, transmeton Telegrafi.
“Asnjë dorë robotike e ngjashme me njeriun nuk ka demonstruar ndonjë shkathtësi të veçantë, të paktën jo në një kuptim të përgjithshëm. Asnjë dizajn i tillë nuk ka gjetur ende zbatim në mjedise të vërteta industriale”, thotë Brooks.
Ai gjithashtu paralajmëron se robotët humanoide me madhësi të rritur përbëjnë një kërcënim të konsiderueshëm për sigurinë në hapësirat ku njerëzit lëvizin, sepse masa e tyre mund të shkaktojë lëndime serioze nëse bien ose lëvizin papritur. Në të kundërt, modelet më të vogla të robotëve sot nuk janë aq të rrezikshme.
“Këshilla ime për njerëzit është të qëndrojnë brenda tre metrave nga një robot me madhësi reale. Derisa dikush të dalë me një version më të sigurt të një roboti me dy këmbë që mund të jetë në kontakt të ngushtë me njerëzit, nuk do t’i shohim këta robotë të çertifikuar për të punuar në mjedise ku janë të pranishëm njerëzit”, shtoi ai.
Ai parashikon që robotët përfundimisht do të kalojnë nga këmbët në rrota, dhe ai mendon se do të ketë versione me numër të ndryshëm krahësh – një, dy ose tre. Disa prej tyre do të kenë duar me pesë gishta, por shumë do të përdorin kapëse me dy gishta ose gota vakumi. Megjithatë, ata do të quhen ende robotë humanoide.
“Ata do të kenë gjithashtu shumë sensorë që nuk janë kamera pasive, por sisteme optike aktive ose pajisje që regjistrojnë gjatësi vale jashtë spektrit të shikimit njerëzor. Disa do të kenë sy në duar, dhe disa do të kenë sy të kthyer poshtë, të vendosur në zonën e legenit, për t’i ndihmuar të lundrojnë në terren të ashpër. Por ata do të quhen ende robotë humanoid”, shtoi Brooks.