Në seancën e së hënës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, dëshmitarja eksperte Helen Fraser ka deklaruar se në procesin e transkriptimit të audio-incizimeve nga vizitat në Qendrën e Paraburgimit është përdorur Inteligjenca Artificiale.
Sipas dëshmisë së saj, analiza u fokusua në dy incizime specifike që lidhen me vizitat në paraburgim. Fraser theksoi se procesi i transkriptimit është kompleks dhe se është e vështirë të vlerësohet saktësia e një transkripti pas përfundimit të punës.
Ajo sqaroi se nuk e kupton gjuhën shqipe dhe se nuk ka pasur transkriptues që e flasin atë gjuhë, duke e bërë të nevojshëm përdorimin e një mjeti të Inteligjencës Artificiale për të ndihmuar në deshifrimin e materialit audio.
Megjithatë, Fraser theksoi se, sipas saj, Inteligjenca Artificiale nuk mund ta zëvendësojë plotësisht faktorin njerëzor në transkriptimin e audio-materialeve me cilësi të dobët.
“E përdora mjetin për të kuptuar sa informacion mund të nxirret, por AI nuk mund të zëvendësojë aspektin njerëzor në transkriptimin e audiove të padëgjueshme mirë,” tha ajo.
Dëshmitarja shtoi se përdorimi i këtij mjeti i ka dhënë vetëm një pasqyrë të përgjithshme mbi përmbajtjen e audio-incizimeve, ndërsa theksoi se përpjekjet për të reduktuar zhurmën mund të çojnë edhe në humbje të informacionit.
Gjatë seancës, asaj iu prezantuan edhe komunikime elektronike mes mbrojtjes së Thaçit dhe përkthyesve, ku këta të fundit kishin deklaruar se nuk mund t’i transkriptonin audio-incizimet për shkak të cilësisë së dobët. Megjithatë, më vonë, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte arritur të prodhonte një transkript prej pesë faqesh.
Fraser u shpreh se nuk mund të vlerësojë aftësitë individuale të përkthyesve të përfshirë, por shtoi se qasja e ZPS-së mund të jetë mbështetur edhe në informacione shtesë kontekstuale që nuk kanë qenë të disponueshme për të tjerët.
Seanca pritet të vazhdojë me dëshmi dhe shqyrtim të mëtejshëm të materialeve audio në ditët në vijim.




















