Erblin Osmani ka folur për emocionet pas grumbullimit me Kombëtaren e Kosovës, duke treguar se përfaqësimi i “Dardanëve” ka qenë një dëshirë e tij prej kohësh.
17-vjeçari, që është pjesë e Bayern Munichut, është ftuar nga trajneri i Kosovës për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Pas mbërritjes në Prishtinë, Osmani deklaroi për FFK-në se është i lumtur dhe krenar për mundësinë që i është dhënë.
“Kam dashur gjithmonë të luaj për Kosovën. Jam shumë krenar që mund të luaj dhe që e kam këtë mundësi”, tha ai.
Talenti i Bayern Munichut shpreson që me Kosovën të arrijë suksese të mëdha.
“Ishalla kemi me arrit shumë lartë me Kosovën. Ka shumë potencial për me arrit shumë”, u shpreh Osmani.
Ai falënderoi edhe personat dhe klubin që, sipas tij, e kanë mbështetur në rrugëtimin drejt Kombëtares.
“Falënderoj Franco Foden, Agim Ademin dhe tërë stafin që më kanë dërguar ftesë dhe më kanë pritur kaq mirë. Falënderoj edhe Bayern Munichun që më kanë arritur deri në këtë pikë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Kombëtarja e Kosovës e zhvilloi sot, stërvitjen e parë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e radhës.




















