Fadil Geci, vëllai i Gani Gecit, ka deklaruar se familja e tij e ka mbështetur shtetin e Kosovës dhe ka bërë thirrje që gazetarët të raportojnë drejt dhe të mos shpifin, raporton Ekonomia Online.
Ai ka folur para mediave lidhur me seancën gjyqësore ndaj vëllait të tij, Gani Gecit, i cili është ndaluar nën dyshimet për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
“Ne jemi familje shtetformuese, jo shtetpërfituese. Krejt luftën tonë prej fillimit e kemi bërë për shtetin e Kosovës, për me mbrojtur Kushtetutën e Kaçanikut, edhe shtetin e Kosovës. Dhe për ata jemi sot këtu, në drejtim do të punojmë deri të vdesim, na si familje nuk kem tjetër qa me thonë”, tha Geci.
Ai iu drejtua edhe gazetarëve, duke theksuar rëndësinë e raportimit të drejtë dhe të thënies së të vërtetës.
“Prandaj ju gazetarë e keni një detyrë të shenjtë me punuar drejtë, mos me shpif, se nuk kanë interes tonë me shpif, për një interes tonë me i thënë të vërtetat që na çojnë përpara për të mirën e shtetit të Kosovës”, deklaroi ai.
Geci përsëriti se familja e tij e vlerëson shtetin edhe kur vendimet e tij nuk janë në favor të tyre.
“Jemi familje shtetformuese, e dujmë shtetin, edhe kur kur nuk është në favor tonë, shteti e ka vlerën tonë, vlerën e vetë për neve, për familjen tonë, edhe për ju, për rininë edhe për të gjithë”, deklaroi Geci.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Gani Gecit.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për media se seanca dëgjimore pritet të mbahet nga ora 13:30.


















