Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit kanë bërë të ditur se takimin me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, presin ta zhvillojnë pas vendimit të Kuvendit.
Sipas tyre, ky qëndrim synon të shmangë çdo keqkuptim lidhur me ndikimin apo ndërhyrjet e mundshme familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Kosovës.
“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, ka shkruar në Facebook Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit.
Në letrën e tyre, familjet kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar, duke kërkuar nga të zgjedhurit e popullit që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin në raport me Dhomat e Specializuara.
“Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara”, thuhet në letër.
Familjet kanë shprehur gjithashtu mirënjohje për qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar ndaj tyre gjatë procesit gjyqësor në Hagë.
Ftesa e Haxhiut për familjet erdhi pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, me të cilin Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi u dënuan me gjithsej 68 vjet burgim.



















