Ministri i Bujqësisë në Qeverinë Kurti, Faton Peci, ka treguar se çfarë fjalë kishin ndërruar sot në Kuvend ai dhe deputetët e PDK-së.
Ai ka thënë se ka ndërhyrë pas akuzave që i janë bërë ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
“Është hipokrizi e llojit të vet me akuzu dikë që je në shërbim të Serbisë, je zëdhënëse e Serbisë për shkak se kemi Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale dhe në rast se ata konstatojnë dhe nëse ata me vetëdije kanë qenë të informuar se prapa akuzave të liderëve të PDK-së dhe prapa krerëve të institucioneve qëndron Serbia, atëherë problemi është edhe më i madh”, ka thënë Peci në “Debat Plus”.
Ai ka thënë se deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka sharë dhe ka përdorë fjalë të pista, madje, në një moment ai ka thënë se Krasniqi i ka thënë “hajde të bëj llom”.
“Memli u afrua, dhe i tha (Donika Gërvallës): “Analfabet, oj katastrofë” dhe fjalë të tjera që s’po dua t’i përdor. Reagimi im ishte: “Mjaft më me këto ofendime” dhe vërsulja e Memlit ishte në drejtimin tim, më tha: “Hajde dil qitu në hollin e Kuvendit se të tragoj, të bëj llom’ dhe sharje e ofendime të tjera të pista”, ka deklaruar Peci.
Sot gjatë ditës u tensionua gjendja në Kuvendin e Kosovës pas një fjale të ministres, Donika Gërvalla. PDK ka kërkuar shkarkimin e Gërvallës nga pozita e ministres.