Ka marrë fund me sukses kërkimi për një vajzë 15-vjeçare, e cila ishte raportuar e zhdukur nga Reparti i Psikiatrisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Rasti ishte raportuar më 19 maj, kur stafi i repartit kishte njoftuar Policinë se vajza me inicialet A.R. ishte larguar nga reparti dhe nuk dihej vendndodhja e saj. Pak minuta më vonë, në polici ishte paraqitur edhe nëna e saj, e cila kishte deklaruar se vajza ishte parë për herë të fundit në ambientet e QKUK-së.
Pas inicimit të rastit si “Person i Zhdukur”, njësitë policore kishin nisur kërkimet dhe verifikimet për lokalizimin e saj.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se, pas mbledhjes së informacioneve në terren dhe veprimeve të mëtejme hetimore, është konstatuar se e mitura ndodhej në një strehimore në Novobërdë.
Policia ka kontaktuar edhe Qendrën për Punë Sociale, e cila ka konfirmuar përmes raportit zyrtar se vajza vazhdon të jetë e vendosur në strehimore.
Rasti konsiderohet i zbardhur, ndërsa institucionet përkatëse po vazhdojnë trajtimin e tij sipas procedurave për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj të miturve.






























