2 nëntor, 2024 – Federata e Futbollit e Kosovës mirëpret vendimin e marrë nga UEFA për të ndëshkuar Federatën e Futbollit të Serbisë për thirrjet kundër Kosovës dhe sjelljet raciste gjatë ndeshjes së 12 tetorit ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës. Kjo masë e rreptë është një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së parimeve sportive dhe të respektit në arenën ndërkombëtare.
Në emër të sportdashësve kosovarë, FFK thekson se një ambient sportiv duhet të jetë i lirë nga mesazhet provokuese, urrejtja dhe diskriminimi. Zyra jonë ligjore ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të raportuar këto shkelje pranë UEFA-s, dhe do të vazhdojmë të ndjekim të gjitha mjetet ligjore për ta adresuar çdo veprim josportiv dhe të dëmshëm që cënon Kosovën dhe vlerat e sportit.