
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Policia e Kosovës ka bërë apel për të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat pranë shkollave.
Policia ka theksuar se siguria e fëmijëve në trafik duhet të jetë prioritet për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion.
“Fëmijët janë të paparashikueshëm në lëvizje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, e cila ka kërkuar nga shoferët që të respektojnë me përpikëri kufizimet e shpejtësisë, sidomos pranë institucioneve shkollore.
Sipas Policisë, respektimi i shpejtësisë së lejuar dhe rritja e vigjilencës në këto zona mund të ndihmojnë në parandalimin e aksidenteve dhe në krijimin e një ambienti më të sigurt për nxënësit.

















