Boksieri shqiptar, Florian Marku ka marrë fitoren e radhës në IBF në kategorinë ‘walterweight’ apo të mesme të lehtë, pasi ka mposhtur kundërshtarin e tij Lorick Luisetto.
Florian Marku ka vazhduar karrierën e tij në boks si i pamposhtur duke marrë fitoren e radhës ndaj Luisettos pas tetë raundesh, me vendim të gjyqtarëve.
Pas meçit ai ishte i emocionuar, duke thënë se donte ta nokautonte kundërshtarin, por që ndonjëherë nuk shkon si duhet.
“Faleminderit të gjithëve që ishit këtu. Ishte një përballje e vështirë, por ai nuk është në nivelin timin. Sonte tentova nokaut, por nuk e arrita. Ishte një kundërshtar i fortë. Unë mundohem ti kënaqi fansat, i bëj ndeshjet që ata të kënaqen”, ka thënë fillimisht ai.
Marku edhe njëherë ka kërkuar të ndeshet me kampionin aktual, Conor Benn, por edhe me boksierët e tjerë britanikë.
“Ju e dini se çfarë duele dua, Conor Benn është frikacak. Ai nuk do të ndeshet kurrë me mua. Do të luftoj me të gjithë që më afrojnë afër titullit botëror. Të gjithë boksierët britanikë, apo nga e gjithë bota, m’i sillni këtu. Jam i gatshëm të përballem me të gjithë. Do e lë shpirtin në ring”, deklaroi Marku.
Në fund ai ka thënë se dëshiron të luftojë në Tiranë, ndërsa mendjen e kishte te gruaja e cila pritet të lind së shpejti.
“Dua të luftoj në Tiranë, në stadium atje. Këtë e dua shumë. Ka katër vite që nuk luftoj atje”.
“Shpresoj që gruaja ime ende nuk ka lindur, sepse ajo është në ditët e fundit të shtatzënisë. Ju dua”, përfundoi Marku.