Asambleja Kombëtare e Francës ka miratuar një ligj historik që legalizon ndihmën mjekësore për t’i dhënë fund jetës së pacientëve me sëmundje të pashërueshme, pas një debati të gjatë etik dhe politik në vend.
Projektligji u miratua me 291 vota pro dhe 241 kundër, duke u dhënë të drejtën personave që plotësojnë kriteret ligjore të kërkojnë ndihmë mjekësore për t’i dhënë fund jetës së tyre.
Sipas ligjit, përfitues mund të jenë vetëm personat madhorë, shtetas ose banorë të Francës, të cilët vuajnë nga një sëmundje e pashërueshme në fazë të avancuar ose terminale dhe përjetojnë dhimbje të vazhdueshme fizike apo psikologjike. Vendimi duhet të jetë i lirë dhe i informuar, ndërsa procedura parashikon disa kontrolle dhe vlerësime mjekësore për të shmangur abuzimet.
Substanca vdekjeprurëse do të vetëadministrohet nga pacienti, ndërsa në rastet kur ai nuk është fizikisht në gjendje ta bëjë këtë, administrimi mund të kryhet nga një mjek ose infermier.

Ligji konsiderohet një nga reformat më të rëndësishme të viteve të fundit në sistemin francez të kujdesit shëndetësor dhe pritet t’i nënshtrohet edhe shqyrtimit kushtetues përpara hyrjes në fuqi.




















