Avdullah Hoti tha të martën në Pressing të T7 se gjatë qeverisjes së tij disamujore ishte dakoruar me ndërkombëtarët se dialogu me Serbinë do të bëhej vetëm për njohje reciproke. Në BE – ku marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi nuk përshkruhet me njohje reciproke, por vetëm si gjithpërfshirëse dhe për normalizimin e marrëdhënieve – nuk duan t’i komentojnë deklaratat e Hotit.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti pretendon se në korrik të vitit 2020 kishte marrë një dakordim nga ndërkombëtarët se do të hynte në dialog me Serbinë vetëm për arritjen e njohjes reciproke mes dy vendeve.
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian i tha Gazetës Express se roli i unionit nuk është që t’i komentojë deklaratat e palëve, ndërsa theksoi si zakonisht synimin e këtij procesi për ta.
“Shumë faleminderit për mesazhin dhe pyetjet tuaja. Mirëpo, roli ynë nuk është që t’i komentojmë komentet nga njëra anë apo nga tjetra. Fokusi i BE-së është t’i mbështesë të dyja palët në arritjen e përparimit për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thonë nga BE-ja.
Hoti të martën tha se sa ka qenë ai në pushtet, dialogu me Serbinë ishte paraparë të përmbyllej me njohje reciproke. Sipas ish-kryeministrit, njohja do të ishte pika e parë e marrëveshjes përfundimtare.
“Në korrik të vitit 2020 unë jam dakorduar me partnerët tanë ndërkombëtarë se unë hyj në procesin e dialogut vetëm për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, ka thë Hoti në Pressing.
“Me ndërmjetësit e kemi dakorduar përmbajtjen e marrëveshjes përfundimtare. Pikë e parë e asaj marrëveshjeje ka qenë njohja reciproke”, është shprehur ai.
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në një intervistë për Express më 30 janar kishte thënë se e kanë kornizën e marrëveshjes përfundimtare të vitit 2020, por se tash po e diskutojnë një kornizë tjetër që është e pranueshme për të dyja palët.
“Ne e kemi kornizën e vitit 2020, por e kemi qeverinë me qëndrime të qarta për procesin. Kështu që jemi duke e diskutuar kornizën që do të ishte e pranueshme për të dyja qeveritë, jemi duke diskutuar për këtë dhe do ta kemi atë sapo palët të pajtohen për të. Kështu që unë personalisht jam kundër artificiales, sepse nuk kemi nevojë të vendosim afat, kur nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Qëndrimi im për afatizimin është: “mos u vono dhe mos vrapo”. Unë jam i gatshëm 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë. Jam në kontakt të përhershëm me palët. Po punojmë për të. Por, në fund, është vendim i të dyja palëve, ato duhet të pajtohen për këtë kornizë dhe ato duhet ta çojnë këtë proces përpara dhe ne jemi këtu për t’i shoqëruar”, ishte shprehur Lajçak.
Me qeverinë aktuale, Lajçak ka thënë se po diskutojnë më shumë për procesin e dialogut sesa çështjet e caktuara. Me qeveritë paraprake, thotë ai, “është vazhduar gjithmonë dialogu ashtu siç ishte dizajnuar në vitin 2011”.
Lajçak nuk sheh pengesë në faktin që BE-ja s’e përmend njohjen reciproke në kuadër të marrëveshjes përfundimtare, pasi thotë se janë “plotësisht në linjë” me SHBA-në për atë se çfarë duan të arrihet nga ky proces.